Këngëtarja legjendare Connie Francis ka ndërruar jetë pas një sëmundjeje të shkurtër. Lajmi u konfirmua nga miku i saj i vjetër, Ron Roberts, i cili ndau emocionet e tij përmes një deklarate prekëse:
“Me zemër të thyer dhe trishtim të thellë, ju njoftoj se mikja ime e dashur, Connie Francis, ndërroi jetë mbrëmë. E di që ajo do të donte që fansat e saj të ishin ndër të parët që mësojnë këtë lajm të hidhur.”
Në fillim të këtij muaji, 87-vjeçarja ishte shtruar në spital dhe ndodhej në kujdes intensiv, gjë që e detyroi të tërhiqej nga një performancë e planifikuar për festimet e 4 Korrikut. Raportohej se vuante nga dhimbje të forta në zonën e legenit dhe lëvizte me ndihmën e një karroce me rrota. Megjithatë, ajo i siguroi fansat për gjendjen e saj me një përditësim optimist:
“Sot ndihem shumë më mirë pas një nate të qetë dhe doja të përfitoja nga rasti për t’ju uruar të gjithëve një 4 Korrik të lumtur,” ishte mesazhi i saj i fundit drejtuar publikut.
Kohët e fundit, Connie Francis kishte përjetuar një ringjallje të popullaritetit falë rrjeteve sociale. Hiti i saj i vitit 1962, “Pretty Little Baby”, u bë viral në TikTok dhe është dëgjuar mbi 74 milionë herë në Spotify. Në një intervistë për revistën People, ajo pranoi me sinqeritet se e kishte harruar këngën:
“Të them të drejtën, as që e mbaja mend. Duhej ta dëgjoja përsëri për ta kujtuar. Është e pabesueshme të mendosh se një këngë që regjistrova 63 vjet më parë po prek zemrat e miliona njerëzve sot. Është një ndjenjë e mrekullueshme.”
