KreuCelebrity

IMUN si Tobias

Shkrimtari Tobias Xhaxhiu vjen si një zë i ri dhe autentik në letërsinë shqiptare, me energji dhe plot talent, ai eksploron universin e romanit, por edhe teatrit, si një identitet origjinal që bën diferencën. Prej pak muajsh ai sapo ka nxjerrë në treg romanin e fundit “Imun”, i cili është një vëzhgim i mprehtë i realitetit, një trill emocional që eksploron dimensionet e qenies humane. Në këtë intervistë për librin, letërsinë, teatrin dhe kujtimet personale....

Tobias ke sjellë librin tënd më të fundit “Imun”, na trego pak për historinë e romanit?

Romani “Imun” rrëfen historinë e Davidit dhe Gretës, një çift mjaft disfunksional që po kalon një krisje të thellë mes njëri-tjetrit. Davidi, një egoist dhe egocentrik i sëmurë kërkon të ketë gjithçka nën kontroll. Ai është një kërkues shkencor që gjen kura kundër viruseve, ndërsa Greta është një ëndërrimtare e pandreqshme. Papritur një virus i sëmundjeve respiratore që infekton të prekurit në trurin e tyre shpërthen në të gjithë botën, duke i bërë të shohin gjëra të paqena. Këtu le të themi nis një trill vërtetë emocionues...!

Nga je frymëzuar dhe çfarë ka reale në libër?

Një pjesë e romanit ka copëza nga personalitete të ndryshme, karaktere të njerëzve që njoh nga periudha e pandemisë. Kam qenë në Itali atë periudhë kur më erdhi ideja për të shkruar “Imun”. Sapo kishte plasur Covid-19 dhe po kthehesha në Shqipëri. Gjatë udhëtimit më erdhi ndërmend karakteri i Davidit, i cili ishte ajo çka unë doja në atë periudhë - të shikoja te njerëzit këtë shpëtimtarin, i cili vulosi fatin e të tjerëve. Pra, brenda tij jetojnë dy personalitete të cilat janë sa dobiprurëse aq edhe shkatërruese për të tjerët.

Cili është mesazhi që duhet të marrë lexuesi nga ky libër?

Mesazhi është i gjerë, por thelbi është pyetja që shtroj: Çfarë na bën imunë? Cili është skaji i të qenit i njerëzishëm? Pra, është një analizë e njeriut bashkëkohor, çfarë është ai në gjendje të bëjë për të mbizotëruar të tjerët.

Flet për virusin që lind brenda nesh, po cili është virusi yt personal që ende nuk e ke shëruar?

Virusi im personal ndoshta është edhe mania e perfeksionit. Ndonjëherë kërkoj idealen aty ku nuk ka. Kjo qoftë në letërsi apo në jetën e njerëzve apo tek individë të ndryshëm. Ndonjëherë edhe në raportet personale kërkoj që të kenë disa elemente le të themi të ideales, por kjo idealja është gjithnjë e vështirë për t'u mbërritur.

Dashurinë e quan eksperiment: a është diçka për t'u testuar apo që rrallë funksionon, pse?

Në roman, dashuria është përshkruar si eksperiment sepse Davidi punon në laborator, praktikisht edhe jeta e tij kalon e gjitha aty, por gjithashtu ai ka një dëshirë gati maniakale për t'i testuar njerëzit, për t'i bërë pjesë të vetes në mënyrë të pakthyeshme. Dhe në kontekstin e romanit, dashuria është trajtuar si një eksperiment. Mendoj që sot edhe raportet bashkëshortore apo romantike janë deri diku të cenuara nga post-modernizmi, dëshira për materializëm dhe modelet që ofron shoqëria, ka humbur pastërtia e ndjenjës së vërtetë.

A po e humbet letërsia thellësinë, atë procesin e ngadaltë të shkrimit, të mendimit, mesazhet e forta?

Kur erdhi radio si teknologji në botë kishte shumë frikë për atë çka do të ndodhte me median e shkruar. Më vonë me televizionin, radio u mendua se do të zëvendësohej, po ashtu me shpikjen e filmit pa zë nga ai me zë ndodhi një lloj transformimi. Por fakti që të gjitha këto arte që përmbajnë në vetvete rrëfimin, i cili është pjesë integrale e jetës së njeriut dhe ai nuk bën dot pa të, jam optimist që letërsia nuk do të zhbëhet kurrë. Mbase mënyra si ne e trajtojmë dhe si e përcjellim mund të ndryshojë me kohën, por gjithnjë do të kemi nevojë për rrëfimtarë, ndaj mendoj se letërsia është e sigurt.

Për të qenë sot një autor, duhet më shumë talent apo aftësi për të shitur?

Do të guxoja të thosha që duhet një talent i mirë, sepse ai tharmi i mirë, por duhet edhe një disiplinë e fortë, një ëndërr e pathyeshme, e pacenueshme, edhe talenti për të shitur. Kombinimi i tyre mund ta çojë një autor, me forcat dhe vizionin e tij, drejt një shkalle tjetër, atë të shitjeve, por pa cenuar vlerat e vërteta të letërsisë.

A ka ende fuqi libri të ndryshojë mënyrën se si mendon një njeri apo ka mbetur një ide e së kaluarës?

Libri duke qenë se është shprehje e pastër e mendimit dhe estetikës së njeriut, ka fuqinë të ndryshojë jetë tek ata që duan të ndryshojnë. Gjithnjë libri ka qenë miku më i mirë, udhërrëfyes për jetën dhe sidomos në epoka në të cilat mediat e tjera nuk ishin prezente. Sot letërsia e mirë dhe libri, le të themi, filozofik është ai që mund të drejtojë jetët e njerëzve, sidomos tek ata që duan të vetëpërmirësohen.

IMUN si Tobias

Ti çfarë ke sjellë ndryshe me krijimet e tua?

Një formë të re estetike e të shprehurit; stili im i të shkruarit dhe përballjet me skanerin e jetës në kohët që ne jetojmë.

Je më shumë në garë me autorët e tjerë apo me veten?

Gjithnjë në një garë me veten, sepse dua që çdo vepër e imja duhet të dallojë nga tjetra. Më pas është tregu ai që vendos dhe shihet te lexuesit, kush është një autor më i mirë apo më i keq.

Nëse do të shkruaje për një kujtim nga jeta jote, cili do të ishte?

Do të shkruaja për ditën e parë të shkollës në klasën e dytë.

Çfarë kishte të veçantë?

Kam pasur tim vëlla në krah të sapolindur dhe ime më, e cila nuk është më. Është një moment shumë i bukur që më ka mbetur si i kristalizuar në kujtesë.

Kur shkruan mendon për publikun apo është një proces më tepër egoist?

Do të gënjeja nëse do të thoja që nuk mendoj për publikun. Por, nuk është gjëja e parë që mendoj që do të shkruaj këtë gjë sepse do t'i pëlqejë publikut, por është gjithnjë ideja e audiencës, e sallës, sepse shkruaj dhe për teatrin dhe filmin. Së pari shkruaj për veten, për të kënaqur veten estetikisht dhe më pas për publikun.

Autori yt i preferuar?

Kam pasur shumë. Çuditërisht kohëve të fundit kam një adhurim të veçantë për Dostojevskin. Më parë ka qenë Gabriel Garcia Markez ndër të preferuarit e mi. Madje kam qenë një ithtar i veprave të Markezit dhe më ka frymëzuar për stilin tim të të shkruarit, por tani jam drejtuar drejt një rryme të ftohtë.

Je i përfshirë edhe në teatër, si e sheh atë sot, si një art elitar apo të neglizhuar?

Teatri në Shqipëri është një temë shumë e gjerë dhe paksa e ndërlikuar, pasi ne kemi forma të çuditshme dhe gati autodidakte të bërit teatër. Ka një mungesë të theksuar të qasjes ndaj veprave dramatike shqiptare. Kjo për shumë arsye, edhe regjisorët, duke qenë se si çdo krijues do që të mbijetojë në treg, priren të marrin vepra të huaja të cilat ua njohin suksesin dhe nuk guxojnë të eksperimentojnë me veprat vendase. Kjo është një tematikë që mua si krijues më dhemb dhe do të doja të ndryshonte sa më parë. Ashtu si për letërsinë, jam i idesë që teatri kurrë s'ka për të vdekur dhe njerëzit do të kenë gjithnjë dëshirën për të shkuar atje. Jam gjithashtu partizan i idesë që duhet të shkruhet sa më shumë në gjuhën shqipe, të vihen në skenë veprat e autorëve shqiptarë, vetëm një autor shqiptar mund t'i flasë publikut që ne kemi.

Çfarë ka teatri dhe libri që rrjetet sociale nuk do ta zëvendësojnë kurrë?

Emocionin e një mendje që krijon në kushte të panjohura për një mendje tjetër.