Në kuadër të edicionit të 71-të të Taormina Film Festival, që do të zhvillohet nga 10 deri më 14 qershor 2025, festivali do të nderojë aktoren italiane Monica Bellucci me një Premio Speciale Internazionale për të shënuar 25 vjetorin e filmit të saj të njohur “Malèna”, të regjisorit Giuseppe Tornatore.
Për këtë rast, festivali ka dedikuar edhe posterin zyrtar të edicionit të këtij viti për të nderuar këtë film të paharruar, duke e cilësuar atë si një nga veprat më ikonike të kinemasë italiane bashkëkohore.
Në këtë edicion të festivalit, i cili do të zhvillohet në ambientet historike të Teatrit Antik të Taorminës, do të marrin pjesë gjithashtu personalitete të njohura të kinemasë ndërkombëtare, duke përfshirë Martin Scorsese, Helen Hunt, Catherine Deneuve dhe Michael Douglas.
Ky është një moment i veçantë për kinemanë italiane dhe për Monica Bellucci, e cila vazhdon të jetë një figurë e rëndësishme dhe e dashur për publikun ndërkombëtar.
Përgatiti: Libera Resulaj