Shfaqja e nominuar për çmimin Tony, me George Clooney, 64 vjeç, në rolin e gazetarit Edward R. Murrow, pati paraqitjen e saj të parafundit të shtunën, më 7 qershor, nga teatri Winter Garden dhe u transmetua drejtpërdrejt në CNN dhe CNN.com. Kjo shënon herën e parë që një shfaqje në Broadway transmetohet drejtpërdrejt në televizion, sipas rrjetit.
“Nuk mund t’ju përshkruaj sa emocionuese është të bësh diçka që nuk është bërë kurrë më parë,”tha Clooney më parë në një deklaratë për këtë ngjarje televizive. “CNN është vendi i përkryer për ta sjellë këtë histori guximi përpara shumë më tepër njerëzve nga sa mund të kishim shpresuar ndonjëherë. TV live. Pa rrjet sigurie.”
“Good Night, and Good Luck” nuk është thjesht një festim i epokës së artë të gazetarisë televizive,shtoi Kryetari dhe CEO i CNN, Mark Thompson. “Është gjithashtu për rëndësinë e shtypit të lirë dhe nevojën për organizata të fuqishme lajmesh që raportojnë faktet në mënyrë të paanshme. Kjo është diçka për të cilën ne ende kujdesemi shumë.”
Shfaqja është nominuar për pesë çmime Tony dhe është drejtuar nga David Cromer. Ajo është bërë shfaqja më fitimprurëse në historinë e Broadway dhe e para që tejkalon 4 milionë dollarë të ardhura në një javë të vetme.
Ky është debutimi i George Clooney në Broadway dhe vjen 15 vjet pas filmit të suksesshëm të vitit 2005 për gazetarin e CBS, Murrow, dhe zbulimin e tij të vitit 1954 për senatorin Joseph McCarthy. Clooney ishte regjisori i filmit dhe luajti Fred W. Friendly-n.
Në skenë, Clooney luan Edward R. Murrow dhe është bashkautor i adaptimit teatror së bashku me Grant Heslov. Të dy kishin bashkëpunuar më parë për skenarin e filmit, për të cilin morën një nominim për Oscar për Skenarin Më të Mirë Origjinal. Clooney u nominua gjithashtu atë vit për regjinë e filmit “Good Night, and Good Luck” dhe për rolin e tij dytësor në “Syriana”, për të cilin fitoi Oscar-in e tij të vetëm si aktor.
Gjatë një paraqitjeje në emisionin Late Night with Seth Meyers, më 2 qershor, George u shfaq me një kapele për të mbuluar flokët, duke shpjeguar se nuk i kishte lyer prej rreth dy muajsh. “Është keq. Ende është ngjyrë e errët sipër, por është gri poshtë,” tha ai.
Mes nominimeve të shfaqjes për çmimet Tony është edhe Clooney për Aktorin Kryesor në një Shfaqje Teatrale. Aktori bëri të qartë se nuk është shumë optimist për të fituar: “Nuk po mendoj shumë pozitivisht për të fituar një Tony.” Shfaqja është gjithashtu e nominuar për Dizajnin më të Mirë të Zërit, Skenës, Kostumit dhe Ndriçimit për një shfaqje teatrale.