Pas një konflikti të ashpër me Presidentin Donald Trump, Elon Musk ka vendosur të ndërmarrë një hap të paprecedentë në politikën amerikane: themelimin e një partie të re. Përmes një postimi në rrjetin social “X”, Musk njoftoi se do të krijojë “Partinë e Amerikës”, një lëvizje që synon, sipas tij, përfaqësimin e 80% të qytetarëve me qëndrime të moderuara.
Ky vendim erdhi pak ditë pasi ai akuzoi publikisht Trumpin për lidhje me çështjen Epstein, deklaratë që më pas u fshi, por tensionet mes tyre u bënë publike. Trump e cilësoi Musk si “të çmendur”, ndërsa sipas “New York Times”, ai shkoi më tej duke sugjeruar se sjellja e tij ishte e ndikuar nga përdorimi i drogës.
Musk zhvilloi një sondazh në platformën e tij, ku shumica dërrmuese e ndjekësve e mbështetën idenë e krijimit të një partie të re. Emri “Partia e Amerikës” u miratua më pas nga vetë Musk, si vazhdimësi e një komiteti politik që ai e kishte krijuar më parë për të mbështetur republikanët, përfshirë vetë Trumpin.
Kjo lëvizje ka gjasa të trazojë skenën politike amerikane dhe të sfidojë seriozisht rendin tradicional dy-partiak.