Dyqani i Chiara Ferragni, i vendosur në Via del Babuino 152 në zemër të Romës, ka ndërprerë zyrtarisht aktivitetin. Vendimi u bë publik nga Fenice S.r.l., kompania që menaxhon markën dhe që kontrollohet 99% nga vetë miliarderja italiane.
I hapur zyrtarisht më 15 nëntor 2023, dyqani tërhoqi menjëherë vëmendjen e mediave. Gjatë eventit të hapjes, Ferragni kishte promovuar një konkurs që ofronte mundësinë për ta takuar personalisht, por me kushtin që pjesëmarrësit të shpenzonin të paktën 150 euro në dyqan, një iniciativë që u përball me reagime të ashpra në rrjete sociale, shkruan Express. Situata u tensionua më tej gjatë festave të fundvitit, kur mbi fasadën e dyqanit u shfaqën mbishkrime fyese si “Bandita” dhe “Fraudster” (Mashtruese), një referencë e drejtpërdrejtë ndaj skandalit të njohur si “pandoro-gate”, i cili ka lëkundur fort imazhin publik të sipërmarrëses.
Krahas mbylljes së dyqanit në Romë, kompania njoftoi se Fenice Retail do të vihet në proces likuidimi. Ndërkohë, është në zhvillim një plan i ri strategjik, i cili synon të përqendrojë përpjekjet në kanalet e shpërndarjes dhe në zhvillimin e pranisë online të markës.
Qëllimi kryesor është të rritet efikasiteti i dyqaneve ekzistuese dhe të shfrytëzohen më mirë platformat digjitale, duke ndërtuar një rrjet më të gjerë dhe më të përshtatshëm për të përballuar ndryshimet e tregut dhe sjelljet e reja të konsumatorëve.



















