KreuBusull

Ndeshja me Shqipërinë, FIFA i vë gjobë Serbisë dhe i mbyll 20% të stadiumit!

FIFA ka marrë vendimin për ndeshjen e shumëpritur mes Serbisë dhe Shqipërisë, që do të zhvillohet më 11 tetor në stadiumin “Dubočica” të Leskovacit.
Federata e Futbollit të Serbisë (FSS) është ndëshkuar nga Komisioni Disiplinor me mbylljen e pjesshme të stadiumit si dhe një gjobë prej 80 mijë frangash zvicerane.

Nga kapaciteti prej 8.136 vendesh, në tribunë do të lejohen vetëm 6.500 tifozë. FSS duhet të dorëzojë deri më 1 tetor një plan të detajuar organizimi për shpërndarjen e vendeve, me përparësi për grupet e veçanta si familjet, nxënësit dhe organizatat që luftojnë diskriminimin. Gjithashtu, plani duhet të përfshijë edhe veprime simbolike kundër diskriminimit – si vendosja e pankartave apo veshje me mesazhe sensibilizuese.

Ky vendim vjen pas incidenteve të rënda gjatë ndeshjes Serbi–Angli në stadiumin “Rajko Mitiç”, ku u raportuan simbole të papërshtatshme, thirrje homofobe, fyerje ndaj himnit britanik dhe akte dhune në tribunat e tifozëve. Delegati çek, Emil Ubias, në raportin e tij të detajuar paralajmëroi edhe masa më të ashpra, përfshirë përjashtimin e mundshëm të Serbisë nga kompeticionet.

Përballja me Shqipërinë është zhvendosur nga Beogradi në Leskovac, ndërsa më 14 tetor Serbisë i duhet të udhëtojë për ndeshjen ndaj Andorrës.