
Kompania “Meta” ka zbuluar një gamë të re syzesh inteligjente, të mundësuara nga teknologjia e saj e inteligjencës artificiale (IA), ndërsa pretendon se ato do të jenë një aksesor i domosdoshëm për përdoruesit në të gjithë botën.
Në konferencën vjetore të zhvilluesve “Meta Connect”, shefi i gjigantit të mediave sociale, Mark Zuckerberg, njoftoi një sërë pajisjesh në partneritet dy firma syzesh. Firma prezantoi gjithashtu një të ashtuquajtur byzylyk nervor, që me syzet e saj Meta Ray-Ban Display, lejon përdoruesit të kryejnë detyra të tilla si dërgimi i mesazheve me gjeste të vogla dore.
Ai e quajti teknologjinë një “zbulim të madh shkencor” përpara një audience prej qindra personash të mbledhur në kampusin e kompanisë në Silicon Valley, informon BBC.

Meta Ray-Ban Display vjen me një ekran me ngjyra të plota dhe rezolucion të lartë në një lente të vetme, ku përdoruesit mund të kryejnë video-thirrje dhe të shohin mesazhe. Ai gjithashtu përmban një kamerë 12 megapikselëshe.

Gjatë demonstratave të tij para audiencës, gjërat nuk shkuan gjithmonë sipas planit. Një telefonatë nëpërmjet WhatsApp e cila është gjithashtu në pronësi të Metës drejtuar syzeve, nuk u realizua pavarësisht përpjekjeve të përsëritura.
“Nuk di çfarë t’ju them,” u tha Zuckerberg pjesëmarrësve. “Vazhdoj ta prish këtë gjë.”
Pavarësisht pengesës, Zuckerberg shpreson që linja e aksesorëve inteligjentë të Meta-s do të jetë një platformë kyçe për integrimin e mjetit të saj të inteligjencës artificiale, Meta AI, në jetën e njerëzve.


