
Shkëlqimi ekstrem është rikthyer në qendër të vëmendjes dhe buzët “latex” po konsiderohen si një nga tendencat më të forta të grimit për sezonin veror. Ky look karakterizohet nga buzë me pamje të lëmuar, plot volum dhe me një efekt të ndritshëm që ngjan me sipërfaqen e xhamit.
Sekreti i këtij trendi qëndron te kombinimi i disa hapave të thjeshtë: buzët hidratohen mirë, konturohen me laps në nuanca që i afrohen ngjyrës natyrale, lyhen me buzëkuq kremoz ose të lëngshëm dhe në fund mbulohen me një shtresë të bollshme lip gloss, që u jep shkëlqimin karakteristik.
Pas një periudhe ku dominuan buzët mat, produktet me efekt glossy po rikthehen fuqishëm në industrinë e kozmetikës. Markat e bukurisë kanë prezantuar formula të reja që ofrojnë jo vetëm shkëlqim intensiv, por edhe hidratim dhe një ndjesi më të lehtë në buzë.
Ky stil i jep fytyrës një pamje më të freskët dhe i bën buzët të duken vizualisht më të plota. Për një rezultat sa më të spikatur, shkëlqyesi aplikohet kryesisht në qendër të buzëve, duke krijuar efektin e shumëpërfolur “glass lips” ose “latex lips”.
Sa i përket ngjyrave, nuancat e kuqe, vishnje dhe burgundy krijojnë një pamje më dramatike, ndërsa gjatë verës preferohen edhe tonet rozë, koral apo nude, të cilat kombinohen lehtësisht me lëkurën e bronztë.
Me këtë trend, buzët kthehen sërish në protagonisten e grimit, duke i dhënë pamjes një prekje moderne, elegante dhe plot shkëlqim.
