Nga Eda Bano
“Kur kaloni kufirin nga Victoria në Australinë e Jugut, duhet të ktheni orën tridhjetë minuta pas dhe kalendarët dhjetë vjet prapa!”- lexon pasi kërkon rreth këtij ndryshimi të orës menjëherë në kufirin midis dy shteteve australianë.
Kjo është disi e pazakontë dhe të çudit, të konfuzon pak kur je duke udhëtuar e dëshiron të bësh thjesht një vizitë disaditore në “South Australia”. (Pale pastaj të bësh llogaritë se sa do të jetë ora në vendin tënd që të mund të flasësh me të shtëpisë, pasi teknikisht ndodh që nëse je në Australi dhe flet me familjarin tënd në Kaliforni p.sh., edhe pse në Kaliforni është ditë, aty është “dje”).
Adelaide, si kryeqytet i South Australia, mburret me gastronominë, dyqanet me veshjet e veçanta, qendrat tregtare dhe nëse do të bësh një udhëtim kulturor, ku më shumë se në Adelaide mund ta realizosh? Në Australi, pothuajse të gjitha qytetet, qytezat deri te qendrat më të vogla të largëta të banuara kanë nga një muze apo një galeri arti. Kjo është diçka që të bën përshtypje. Por në Adelaide janë më me shumicë, më të kultivuara e shumë më tërheqëse, sipas opinionit tim. Vend si i ideuar për fëmijë, sheh shumë familjarë, të cilët kanë se ku i argëtojnë fëmijët edhe në ditët e ftohta të korrikut, që në Australi i takojnë të jenë dimër. Fëmijët duken të gëzuar, dhe prindërit e tyre gjithashtu.
Muzeu i artit të “South Australia” në Adelaide është i mahnitshëm. Ai është pa pagesë dhe të mrekullon, madje edhe ata më të pandjeshmit… Libraria e madhe e Adelaide është një atraksion i vërtetë. S’duhet lënë pa parë kisha katolike e “St. Xavier”. Kopshtet “Adelaide Himei garden” janë ato që të mirëpresin që në hyrje të qytetit. “Adelaide Festival Centre” është një godinë e bukur që shtrihet pranë lumit dhe ofron pamje vërtet mbresëlënëse, që të relakson e fton në shëtitje. Aty njohëm një mësuese, që kur i thamë se nga ishim, tha: “Kam punuar 40 vjet si mësuese në Adelaide dhe vetëm një familje nga Shqipëria kam njohur“.
Më pas rruga e famshme “Gouger street”- rruga e qendrës, mbushur me dyqane, qendra tregtare, bare, njerëz. Dhe pak më tutje, si zgjatim i kësaj, shtrihet edhe “parajsa” e restoranteve dhe lokaleve që nga ato argjentinase, italiane, ato me birra dhe që të kujtojnë për nga madhësia e stili (madje edhe nga emri “Munich”), “October fest” në Gjermani; të ëmbëlsirave, hot dogëve, sushi, e plot e plot variacione të mira të tyre.
Mos harrojmë që nëse dëshiron të provosh fruta të shijshme e të freskëta, “Central Market” nuk do zhgënjente askënd, e më në fund të tij dilet vetvetiu në “China town” që duket të jetë i lezetshëm.
Nëse kërkon të shpenzosh disa ditë në Adelaide, një vizitë në “Ishullin e Kangurëve” do të ishte një zgjedhje e zgjuar, ai është unik nga formacioni i shkëmbinjve dhe i mbushur me kangurë, nga të cilët ka marrë emrin; apo më thjeshtë akoma: duke marrë tramin, gjithashtu këndshëm është të vizitohet plazhi Glenelg vetëm 20 minuta larg qytetit.
Nuk është Adelaide një qytet me ndërtesa të larta, me lëvizje dhe zhurma, nuk është ai qyteti vibrant, me të rinj të shumtë e jetë nate, përkundrazi. Jeta mbyllet shpejt, siç mbyllen edhe dyqanet e lokalet, madje edhe dritat shumëngjyrëshe që zbukurojnë ndërtesat. Nëse del më shpejt në mëngjes, vetëm njerëzit e punës me uniforma fosforeshente sheh në rrugë e askënd tjetër. Adelaide të vjen si një qytet i qetë, i heshtur e madhështor në thjeshtësinë e vet.
Moti në dimër, pra në korrik, është gjëja më e paqëndrueshme që të kanë zënë sytë, në një çast bie shi, më pas fryn erë, dhe brenda gjysmë ore del dhe shkëlqen dielli, sikur të ketë qëndruar atje përjetë. Temperaturat shkojnë 9 dhe 19 gradë Celsius, xhupat janë të nevojshëm sepse kur fryn erë i ftohti është i thartë.
Kurse në verë temperaturat shkojnë 35 deri 45 gradë Celsius, normalisht.
Trekëndëshi barabrinjës që shoqëron qëndrimin tënd në Adelaide?
“Ha shëndetshëm, bëj ‘shopping’ dhe kulturohu!”
Edlina, 16.07.2024











Vera e vitit 2024 më e nxehta në histori!

Kur nuk pini ujë – Çfarë i ndodh organizmit!

Rikrijohet parfumi i Kleopatrës pas 2000 vitesh!

Këshilla për një fillimvjeshtë sa më të mirë!



Propozim në Como!


