Andorra është një vend i vogël, futur mes malesh, midis Francës dhe Spanjës. Vetëm 468 km katrorë, është shteti më i madh ndër shtetet e vogla. Ama kryeqyteti i saj “mburret” me faktin që është kryeqyteti që ndodhet në lartësinë më të madhe mbi nivelin e detit ndër të gjithë kryeqytetet e Evropës.
Në Andorra nuk shkon dot rastësisht. Sepse “të bie rruga”. Në Andorra duhet të nisesh “enkas”. Gjendur mes maleve Pirenejve, futur thellë në gryka e shpate shkëmbinjsh, duhet të ngjitesh e të ngjitesh në lartësi me makinë, derisa të mbërrish aty. As mund të thuash “e kam parë”, pa e vizituar atë, por thjesht duke e hamendësuar si diçka të përafërt me Francën, Spanjën apo Zvicrën. Sepse nuk është si asnjëra nga ato. Është krejt ndryshe, është e veçantë, është unike. Ndërtesat në Andorra janë bërë me shumë stil, janë moderne, fine, kryesisht me gurë apo tullat e errëta; luksi shpaloset kudo ndërthurur me bukurinë dhe gjelbërimin e natyrës në verë, e bardhësinë e borës në dimër.
Në Andorra nuk ka aeroport. Aeroporti më i afërt është ai në Lleida të Spanjës, 20,9 km larg. Të tjerë aeroporte janë: në Girona 123 km, Toulouse 125 km, apo edhe Barcelona rreth 140 km. Në verë është shumë freskët. Aq kohë e bukur, me diell, ajër të pastër dhe fresk, sa kjo të duket idealja e asaj që kërkon njeriu për motin. Por për çfarë vijnë njerëzit më së shumti në Andorra? Kuptohet, kur nuk vijnë për të bërë ski? Pasi rezortet e skive janë në çdo kthesë, dhe teleferikët që të çojnë në maja malesh punojnë edhe në verë.
Arsyeja tjetër që duket sikur sjell turistët në Andorra është sepse njihet si një vend pa taksa, ose e thënë ndryshe “duty-free“. Qejflinjtë e pijeve alkoolike, cigareve, parfumeve, apo edhe bizhuterive të kushtueshme, kënaqen me pagesat pa taksa të sendeve që blejnë. Ndërkohë që vendi, veçanërisht kryeqyteti e saj, Andorra la Vella, është i mbushur plot me qendra tregtare, përveç dyqaneve apo magazinave “duty-free“. Më së shumti këto qendra ndodhen në rrugën kryesore të qytetit, sa edhe hotelet në këtë zonë janë të pozicionuara brenda tyre. Poshtë çdo qendre ka gjithashtu parkingje, dhe kështu qëndrimi e udhëtimi bëhet më komod.
Andorra nuk është shtet i BE-së. Euro është leku i saj, por internet nuk ka si në vendet e tjera të Evropës, që mund të lëvizësh lirisht pa probleme të internetit, kur ke një numër të një vendi Shengen. Për këtë, vendasit ndihen pak inferiorë dhe ata shpresojnë që shumë shpejt kjo të rregullohet. (Duhet patjetër të blesh internet në “Ubigi”, sepse ndryshe nuk gjen dot vendet apo informacionet e nevojshme).
Ushqimi në Andorra është i mirë, të shijon për shkak të klimës; pjatat janë të bollshme, shefat e kuzhinës nuk kursehen në sasi, por as në cilësi. Vendasit flasin më shumë spanjisht, edhe frëngjisht, pak njihet anglishtja. Andorra është aq e vogël, sa duket sikur ka vetëm dy rrugë, ajo që të çon në Spanjë, dhe tjetra në Francë. Është e lezetshme ndjesia që të krijohet teksa ndeshesh me këtë fenomen.
Udhëtimi në Andorra duhet bërë të paktën një herë, për të kuptuar që ka vende e vende!
Çfarë do të thoshim shkurtimisht për Andorrën?
- Nuk është në BE, si pasojë nuk ka internet si kudo në Evropë. Atë mund ta blesh në “Ubigi” me ofertat 10 giga për 15 euro për 7 ditë, ose të kënaqesh vetëm me internetin e hotelit.
- Andorra shquhet për dyqanet “duty-free”. Admiruesit e pijeve alkoolike, cigareve, të parfumeve apo bizhuterive të shtrenjta gjejnë “parajsën” këtu.
- Aq shumë qendra tregtare ka, sa hotelet shpesh janë lokalizuar brenda tyre.
- Rezortet e skive dhe pistat janë të kudogjendura.
- Në verë është shumë bukur: nga qershori në tetor është koha më e përshtatshme për ta vizituar atë.
- Në Andorra ka dy rrugë: një që të çon në Francë e një në Spanjë.
Eda Bano, 18 gusht 2024



Rregulli 3-2-1 për gjumë më të mirë!











Çfarë është vitamina D dhe për çfarë shërben?





