KreuCelebrity

U përfol se Brigitte Macron kishte lindur burrë, merret vendimi për dy gratë që përhapën lajmin e rremë!

Gjykata e Apelit në Paris liroi sot nga të gjitha akuzat dy gratë që kishin përhapur në internet thashethemin se Brigitte Macron, bashkëshortja e presidentit francez, ishte lindur mashkull, një “lajm i rremë” që u bë viral globalisht, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara.

Natasha Rey dhe Amandine Roy, të cilat fillimisht ishin shpallur fajtore nga një gjykatë e shkallës së parë, u shpallën të pafajshme për 18 akuzat që ishin apeluar nga zonja e parë e Francës dhe vëllai i saj. Edhe pse një prej paragrafëve që përmendte “rrëmbimin e një të mituri” u konsiderua në kundërshtim me ligjin e shtypit, gjykata vendosi të mos i dënojë, duke marrë parasysh se kishin vepruar me mirëbesim.

Në gjyqin e parë, në shtator, dy gratë u dënuan me një gjobë me kusht prej 500 eurosh dhe u urdhëruan të paguanin kompensim prej 8,000 eurosh për Brigitte Macron dhe 5,000 euro për vëllain e saj, Jean-Michel Tronier. Në zemër të çështjes ishte një “lajm” i sajuar që ka qarkulluar në mediat sociale që nga viti 2017, viti kur Emmanuel Macron u zgjodh president i Francës. Sipas këtij thashethemi, Brigitte Macron, patronimi i së cilës është Tronier, “nuk ka ekzistuar kurrë”, por vëllai i saj, Jean-Michel Tronier, ndryshoi gjininë dhe mori këtë emër.