KreuCelebrity

Ozempiku “natyral”: Dieta e thjeshtë me përbërës që i kemi në shtëpi!

Ozempiku “natyral”: Dieta e thjeshtë me përbërës


Janë ushqime, të cilat dietologët i cilësojnë si “ Ozempiku natyral” dhe që i kemi në shtëpitë tona.
Bëhet fjalë për ushqime të pasura me fibra, yndyrna të shëndetshme dhe antioksidantë - të tilla si perimet me gjethe jeshile, manaferrat, agrumet, vaji i ullirit dhe ushqimet e fermentuara . Që të gjitha ato, sipas ekspertëve,  ofrojnë mbështetje natyrale për kontrollin e sheqerit në gjak dhe oreksin, të ngjashme me atë që njerëzit kërkojnë nga Ozempik.

Ozempiku është një medikament për kurimin e diabetit, por për shkak të reklamimit nga yjet e rrjeteve sociale, po përdoret si kurë dobësimi. Fushata ka joshur të rritur e deri tek vajza të mitura në Shqipëri që duan me çdo kusht të heqin kilet pa u informuar për efektet anësore. Një dozë mujore e injeksionit kushton 120-250 euro, një çmim i kripur për një kurë që mund të zgjasë edhe më shumë se 1 vit.

Mjeku endokrinolog, Dashamir Gjergji theson për Faktoje efektin parësor që ky bar ka te pacientët. “Ozempic është një injeksion, një mjekim që përdoret rëndom vitet e fundit në diabetologjinë botërore, është një medikament që ndihmon çlirimin e zgjatur të insulinës dhe e bën të mundur te diabetikët mbajtjen e sheqerit në normë. Pra, ndihmon në uljen e vlerave të sheqerit, duke zbrazur më ngadalë stomakun, duke çliruar më shumë insulinë dhe duke dhënë ndoshta edhe një lloj kënaqësie, ndjesinë e ngopjes në organizëm”, argumenton mjeku.
Gjergji konfirmon me shqetësim se përdorimi nga persona pa problematikë të diabetit, por thjesht për t’u dobësuar, sjell pasoja.“Është e vërtetë që bari dobëson dhe e ul peshën trupore, është vënë re që gjatë trajtimit të diabetit, të sëmurët diabetikë kanë pasur edhe reduktime të peshës. Kjo ka bërë ndoshta që një pjesë e mirë e njerëzve që nuk janë diabetikë, kryesisht moshat e reja, por edhe moshat e mesme, pse jo dhe mosha të mëdha, kanë përdorur barin për t’u dobësuar edhe pa instruksionet e mjekut.

Është një bar me efekte në organizëm, të pastudiuara mirë. Është një bar që është përdorur pak te diabetikët, nuk është se ka shumë vite në treg, sepse si rregull, një medikament, që të marrë certifikatën e besueshmërisë, duhet të kalojë minimalisht 10 vjet përdorim dhe tagrin për të dhënë sigurinë e barit e kanë trupat e specializuar mjekësore. Ndaj ky bar nuk duhet të përdoret fare për t’u dobësuar, unë si mjek jam kategorikisht kundër”, sqaron Gjergji.
“Rreziku i këtij bari është për efektet afatgjatë që ka mbi organizmin. Ka të dhëna, në studimet e kryera te kafshët që ky bar jep kancer. Ky bar shkakton tumore të gjendjes tiroide dhe dyshohet që mund të japë kancer në nivele të ndryshme të organizmit.

Ky bar mund të shkaktojë dëmtime të menjëhershme të veshkave dhe të sëmurët shkojnë për të humbur 5 kg -10 kg dhe përfundojnë në dializë. Efektet kardiovaksulare, nuk le organ pa dhënë ndonjë element negativ, sidomos në përdorimin afatgjatë të këtij bari”, thekson ai.
Nga shumë pacientë që më kanë kërkuar mendim nëse mund ta përdorin apo jo, është vetëm një rast që ia kam rekomanduar ta përdorë. Është një pacient që kishte hequr një pjesë të stomakut me idenë e rënies në peshë dhe nuk kishte humbur ndonjë peshë të madhe trupore. Një pacient i të tillë, që vazhdonte të kishte probleme me obezitetin, ia kam rekomanduar që ta gjejë këtë preparat apo një preparat të kësaj klase, sepse duke ulur oreksin do të ulte dhe sasinë e ushqimit që do merrte i sëmuri. ”, sqaron Toti.

Mjeku Toti thekson se është e domosdoshme të kryhen studime të mëtejshme për sa i përket Ozempic.“Është një medikament i ri, që ende nuk i dihen anët negative dhe anët pozitive. Kohët e fundit është folur për një tendencë të rritje te një pjesë e pacientëve, të cilët kanë përdorur Ozempic, për tentative vetëvrasjeje ose të paktën për mendime në lidhje me vetëvrasjen. A është kjo një gjë e lidhur me Ozempic, apo ky ndryshim i ndjenjës së urisë bën te këta persona, kjo është një gjë që kërkon studime më të hollësishme”, argumenton mjeku. Agjencia e Barnave i konfirmoi Faktojes se Ozempic përdoret vetëm për pacientët me diabet dhe jo për të trajtuar rënien nga pesha.