
Ditëlindja e 49-të e Elvis Pupës në “Ferma VIP” u shoqërua me emocione të veçanta, surpriza nga fermerët dhe një mesazh që e ktheu aktorin pas në kohë.
Një urim i ardhur nga mësuesja e tij e klasës së parë, Engjëllushe Malltezi, solli kujtime të hershme nga vitet e shkollës. Ajo tregoi momentet e para kur Visi u ul në bankat e klasës, ndërsa aktori ndau një histori të sinqertë dhe plot humor nga fëmijëria e tij.
Sipas Pupës, ai e kishte pritur me shumë entuziazëm nisjen e shkollës, por një detaj i papritur ndikoi në përqendrimin e tij në mësime.
“Kur pashë mësuesen për herë të parë, mbeta i mahnitur. Më është dukur shumë e bukur dhe kam pasur një admirim të madh për të. Më pëlqenin gjithmonë njerëzit e bukur dhe ajo ishte një person i mrekullueshëm”, tregoi ai.
Aktori rrëfeu me humor se ishte aq i përfshirë nga admirimi për mësuesen, saqë nuk arrinte të fokusohej te mësimet.
“Familjarët madje u detyruan të më largonin nga klasa e parë, sepse unë nuk po mësoja. Gjithë kohën rrija duke parë mësuesen. Në atë moshë isha i dashuruar me të”, u shpreh Visi mes të qeshurash.
Rrëfimi i tij solli momente të ngrohta dhe nostalgjike, duke zbuluar një anë krejtësisht ndryshe të aktorit të njohur.
