KreuCelebrity

“Një mesazh në Instagram më ndryshoi jetën”/ Oriola Marashi zbulon si u bë pjesë e Guess

“Një mesazh në Instagram më ndryshoi jetën”/

Nga një vajzë shqiptare me ëndrra të mëdha, në një prej modeleve më të njohura shqiptare në arenën ndërkombëtare. Oriola Marashi ka ndarë së fundmi disa detaje të pathëna nga rrugëtimi i saj profesional dhe personal gjatë një interviste në emisionin “Në kurthin e Piter Pan”, ku rrëfeu emocionet, sakrificat dhe momentet që i ndryshuan jetën.

Modelja tregoi se pasioni për modelingun ka qenë prezent që herët në jetën e saj, megjithatë ajo e ka parë gjithmonë këtë profesion si një etapë të përkohshme. “Modelingu ka qenë ëndërr e hershme, por muzika mbetet dashuria ime më e madhe”, u shpreh Oriola, duke lënë të kuptohet se në të ardhmen synon të fokusohet më shumë në muzikë.

Një nga historitë më të veçanta që ndau ishte mënyra sesi nisi bashkëpunimi i saj me brandin e famshëm Guess. Sipas saj, gjithçka ndodhi krejt papritur falë Instagramit, aty ku u vu re nga themeluesi i kompanisë, Paul Marciano.

“Paul Marciano më zbuloi nga Instagrami. Është ironike sepse ajo platformë për të cilën jam paragjykuar shumë herë, më hapi derën drejt ëndrrës time më të madhe”, tregoi modelja.

Oriola kujtoi se mesazhi nga Guess erdhi pikërisht në ditëlindjen e saj, një ditë që deri në atë moment kishte qenë ndër më të trishtuara për të.

“Ishte ditëlindja ime më e trishtuar dhe brenda po asaj dite mora mesazhin që më ndryshoi jetën”, rrëfeu ajo.

Pas takimit të parë me ekipin e Guess, modelja tregoi se kishte zgjedhur të vishej totalisht me veshje të brandit për t’i treguar Paul Marcianos se e njihte dhe e vlerësonte markën.

“Kur më pa, më tha: ‘Ti ke veshur Guess’, dhe e vlerësoi shumë këtë detaj”, tha Marashi, duke shtuar se më pas realizoi një test-shooting që rezultoi vendimtar për karrierën e saj. Vetëm pak javë më vonë ajo mori ftesën për të qenë pjesë e një sfilate në Barcelonë.

Gjatë intervistës, Oriola theksoi se bukuria nuk është elementi më i rëndësishëm në këtë industri. Sipas saj, mënyra sesi sillesh me njerëzit dhe profesionalizmi kanë peshë shumë më të madhe.

“Sjellja e bën njeriun të bukur dhe këtë e kam kuptuar gjatë gjithë eksperiencës sime”, u shpreh ajo.

Modelja ndau edhe një detaj interesant nga bashkëpunimi me Guess, duke zbuluar se ishte modelja e parë e brandit që pozonte me tela në dhëmbë.

“Paul më pyeste gjithmonë: ‘Kur do t’i heqësh telat?’, ndërsa unë i thosha edhe pak muaj”, tregoi ajo me humor.

Në fund, Oriola Marashi dha një mesazh për të gjithë të rinjtë që përballen me pasiguri apo komplekse, duke theksuar se ndryshimet janë pjesë normale e jetës dhe se vetëbesimi është çelësi për të ecur përpara.