
Aktori i njohur hollivudian Brad Pitt është vënë në shënjestër të një padie ligjore që lidhet me markën e tij të produkteve për kujdesin e lëkurës. Kompania amerikane “Beau D.” e akuzon atë për përdorim të një emri tregtar që, sipas saj, është shumë i ngjashëm me markën e regjistruar prej vitesh.
Sipas pretendimeve të paraqitura në gjykatë, kompania e Pitt ndryshoi emrin e linjës së saj nga “Le Domaine” në “Beau Domaine”, duke krijuar konfuzion te klientët dhe duke dëmtuar identitetin e markës “Beau D.”, e regjistruar që në vitin 2020.
Linja e kujdesit ndaj lëkurës e aktorit u lançua në vitin 2022 në bashkëpunim me familjen franceze Perrin, partnere e tij në vreshtin e njohur Château Miraval. Produktet promovohen si formula kundër plakjes dhe bazohen në përbërës të nxjerrë nga varietete të veçanta rrushi.
Paditësit kërkojnë 75 mijë dollarë dëmshpërblim, si dhe ndalimin e përdorimit të emrit “Beau Domaine” në treg. Ata pretendojnë se ngjashmëria mes dy markave mund t’i çojë konsumatorët në keqkuptime lidhur me origjinën e produkteve.
Themeluesi i “Beau D.”, Brandon Palas, ka deklaruar se para se të ndiqte rrugën ligjore kishte tentuar disa herë të arrinte një marrëveshje jashtë gjykate. Sipas tij, qëllimi nuk është publiciteti, por mbrojtja e një biznesi të ndërtuar ndër vite.
Nga ana tjetër, Pitt ka theksuar më herët se marka e tij nuk është krijuar për të përfituar nga fama personale, por për të promovuar punën shkencore dhe cilësinë e përbërësve që përdoren në produkte.
Kjo çështje ligjore vjen në një periudhë të ndërlikuar edhe në planin familjar për aktorin. Mediat ndërkombëtare raportojnë se djali i tij i madh, Maddox, ka kërkuar të heqë ligjërisht mbiemrin “Pitt”, duke ndjekur të njëjtin hap që më herët kanë ndërmarrë edhe disa nga fëmijët e tjerë të Brad Pitt dhe Angelina Jolie.
