KreuCelebrity

U shua në lulen e rinisë: Ylli 18-vjeçar i “Godzilla vs. Kong” humb jetën tragjikisht

Bota e kinematografisë është tronditur nga ndarja e parakohshme nga jeta e aktores së re Kaylee Hottle, e njohur për interpretimin e personazhit Jia në filmat “Godzilla vs. Kong”. Aktorja, e cila nuk dëgjonte, humbi jetën në moshën 18-vjeçare pas një aksidenti të rëndë automobilistik në Maryland të Shteteve të Bashkuara.

Ngjarja tragjike ndodhi rreth orës 02:52 të mëngjesit të së martës, më 21 korrik, në zonën e Ijamsville. Sipas Zyrës së Sherifit të Frederick County, Kaylee udhëtonte si pasagjere në një automjet tip “Honda Accord” të vitit 1995, të drejtuar nga një 19-vjeçar.

Për arsye që ende po hetohen, drejtuesi humbi kontrollin e automjetit, doli nga rruga dhe u përplas me një kanal kullues. Autoritetet dyshojnë se shpejtësia e lartë mund të ketë qenë një nga faktorët që shkaktoi përplasjen.

Kaylee u transportua me urgjencë drejt një qendre traume, por nuk mundi t’u mbijetonte plagëve të marra. Drejtuesi i automjetit pësoi lëndime që nuk i rrezikonin jetën, ndërsa pasagjeri i tretë nuk pati nevojë për trajtim mjekësor. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit vijojnë.

Lajmi i dhimbshëm u konfirmua edhe nga babai i saj, Joshua Hottle, i cili publikoi në rrjetet sociale një video emocionuese në gjuhën amerikane të shenjave. Ai tregoi se po udhëtonte nga Teksasi drejt Marylandit për të marrë trupin e së bijës, duke e përshkruar këtë si një udhëtim që nuk do të kishte dashur ta bënte kurrë.

Kaylee Hottle vinte nga një familje me disa breza personash që nuk dëgjonin dhe komunikonte nëpërmjet gjuhës amerikane të shenjave. Ajo e nisi karrierën para kamerave që në fëmijëri, duke u shfaqur në reklama dhe në serialin televiziv “Magnum P.I.”.

Suksesi ndërkombëtar erdhi në vitin 2021, kur debutoi në ekranin e madh në filmin “Godzilla vs. Kong”. Ajo interpretoi Jia-n, vajzën që krijon një lidhje të veçantë me Kongun dhe komunikon me të përmes gjuhës së shenjave. Kaylee u rikthye në të njëjtin rol në vitin 2024, në filmin “Godzilla x Kong: The New Empire”.

Interpretimi i saj u vlerësua për natyrshmërinë dhe përfaqësimin autentik të komunitetit të personave që nuk dëgjojnë në një prej produksioneve më të mëdha të Hollywood-it. Për rolin e saj në filmin e dytë, ajo u nominua edhe në kategorinë e interpretuesit të ri më të mirë në “Saturn Awards”.

Ndarja e saj tragjike nga jeta ka shkaktuar reagime të shumta në botën e filmit. Kolegë, aktorë dhe fansa kanë shprehur dhimbjen për humbjen e artistes së re, ndërsa Texas School for the Deaf, ku Kaylee studionte, e kujtoi atë si një nxënëse të dashur, shoqe dhe yll në ngritje.