Vinicius Junior ka tërhequr vëmendjen në rrjetet sociale pas përfundimit të Botërorit 2026, por këtë herë jo për paraqitjet e tij në fushën e blertë. Sulmuesi i Real Madridit dhe Brazilit është shfaqur me një pamje ndryshe, pasi raportohet se i është nënshtruar një procedure estetike në fytyrë.
Fotografitë e futbollistit nisën të qarkullonin me shpejtësi në internet pasi ai vizitoi një klinikë në Goiania të Brazilit. Ndryshimi në konturet e fytyrës, veçanërisht në zonën e mjekrës dhe nofullës, bëri që shumë ndjekës të shpreheshin se 26-vjeçari dukej thuajse i panjohur.
Sipas raportimeve, Vinicius ka kryer atë që njihet si “harmonizimi i mjekrës”, një procedurë estetike që realizohet përmes injektimit të mbushësve dhe synon të ndryshojë proporcionet e fytyrës, pa qenë e nevojshme një ndërhyrje kirurgjikale tradicionale.
Ylli brazilian mësohet se kishte kërkuar një pamje më të theksuar në pjesën e mjekrës dhe të nofullës. Në fotografitë e publikuara, pjesa e poshtme e fytyrës së tij duket dukshëm më e fortë dhe më e formësuar krahasuar me pamjen që tifozët ishin mësuar të shihnin gjatë Botërorit.
Vini Jr.‘s new look after chin harmonization surgery. I just hope it doesn’t affect his performances. It’s sad he had to go through this after years of social media bullying. Wishing him all the best. pic.twitter.com/xNpz0Vy821
— Akampurira Walakira (@harris_okampo) July 21, 2026
Sipas “TMC”, procedura është realizuar nga dermatologu Alessandro Alarcao, i cili thuhet se ka udhëtuar posaçërisht nga Miami drejt Brazilit për takimin me futbollistin.
Vinicius është fotografuar në klinikë pak pas trajtimit, ndaj një pjesë e ndryshimit mund të jetë ndikuar edhe nga ënjtja e zakonshme pas procedurës. Pamja përfundimtare pritet të jetë më e natyrshme pasi efektet e para të qetësohen.
Fotografitë u shndërruan menjëherë në burim komentesh, batutash dhe krahasimesh në rrjetet sociale. Disa tifozë e krahasuan pamjen e re të Viniciusit me ish-mesfushorin e Brazilit dhe Chelsea-t, Ramires, i cili gjithashtu reagoi ndaj ngjashmërisë së përmendur nga ndjekësit.
Procedura estetike erdhi pas eliminimit zhgënjyes të Brazilit nga Botërori 2026. Kombëtarja braziliane u largua nga gara në fazën e 1/8-ave pas humbjes ndaj Norvegjisë, duke regjistruar eliminimin më të hershëm në një Botëror që prej vitit 1990.
Pavarësisht dështimit të skuadrës, Vinicius ishte një nga lojtarët më të spikatur të Brazilit, duke e mbyllur turneun me katër gola dhe një asist në pesë paraqitje.
Tashmë vëmendja e sulmuesit do të rikthehet te Real Madridi, ku pritet të bashkohet me skuadrën për fazën përgatitore. Vinicius ka vetëm një vit të mbetur në kontratën e tij aktuale, situatë që ka shtuar spekulimet rreth së ardhmes.
Presidenti i klubit, Florentino Perez, ka deklaruar publikisht se të dyja palët dëshirojnë ta vazhdojnë bashkëpunimin. Megjithatë, braziliani do të rikthehet në Madrid mes pikëpyetjeve për rinovimin dhe vëmendjes së madhe që ka shkaktuar pamja e tij e re.
