Një tjetër emër shqiptar po shkëlqen në skenën ndërkombëtare të artit dhe teatrit. Regjisori dhe artisti me rrënjë shqiptare Mario Banushi është nderuar me çmimin prestigjioz “Luani i Argjendtë” në edicionin e 54-t të Biennale Teatro di Venezia, një nga ngjarjet më të rëndësishme të teatrit botëror.
Ky vlerësim e vendos Banushin mes artistëve më premtues të skenës evropiane bashkëkohore, ndërsa në të njëjtin festival u nderua edhe aktori i famshëm hollivudian Willem Dafoe, duke e bërë edhe më të veçantë praninë shqiptare në këtë skenë prestigjioze.
Në motivacionin e jurisë thuhet se krijimtaria e Mario Banushit “çlirohet nga konvencionet e teatrit tradicional narrativ, duke ruajtur një ndjeshmëri klasike në krijimin e imazheve, të ushqyera thellësisht nga kujtesa personale”.
Me një gjuhë teatrale poetike, vizuale dhe emocionale, Banushi konsiderohet pjesë e brezit të ri të artistëve që po transformojnë teatrin evropian. Veprat e tij janë vlerësuar për mënyrën unike të rrëfimit dhe fuqinë për të krijuar emocione përmes imazhit dhe heshtjes skenike.
Ky çmim përfaqëson jo vetëm një sukses personal për Mario Banushin, por edhe një moment krenarie për artin shqiptar në arenën ndërkombëtare, duke dëshmuar se talentet me origjinë shqiptare po zënë vend gjithnjë e më shumë në qendrat më elitare të kulturës botërore.
