Dy shpërthime kanë tronditur mëngjesin e së martës qendrën e Damaskut, pranë hotelit Four Seasons, ku presidenti francez Emmanuel Macron kishte kaluar natën përpara takimit zyrtar me presidentin sirian Ahmed al-Sharaa.
Sipas Pallatit Élysée, Macron nuk ishte më në hotel në momentin e shpërthimeve, pasi kishte mbërritur tashmë në Pallatin Presidencial për takimin me homologun e tij sirian. Autoritetet franceze konfirmuan se presidenti nuk ka pësuar asnjë lëndim.
Mediat shtetërore siriane raportuan se shpërthimet ndodhën gjatë një operacioni të forcave të sigurisë për çaktivizimin e dy mjeteve shpërthyese të improvizuara. Njëra bombë ishte vendosur në një automjet të parkuar në anë të rrugës, ndërsa tjetra në një kosh mbeturinash.
Sipas agjencisë shtetërore SANA, nga shpërthimet mbetën të plagosur të paktën 18 persona, mes tyre katër efektivë policie. Një shpërthim ndodhi pranë hotelit Four Seasons, ndërsa tjetri pranë Ministrisë së Turizmit.
Ministria e Brendshme siriane bëri të ditur se vendi ku ndodhi shpërthimi ishte jashtë perimetrit të sigurisë të caktuar për qëndrimin e Macron.
Autoritetet siriane kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e incidentit dhe për të identifikuar autorët e vendosjes së mjeteve shpërthyese.
Vizita e Emmanuel Macron në Siri shënon vizitën e parë zyrtare të një lideri perëndimor në vend që nga rrëzimi i regjimit të Bashar al-Assad në dhjetor 2024. Presidenti francez mbërriti në Damask të hënën në mbrëmje për një takim me presidentin Ahmed al-Sharaa, në kuadër të përpjekjeve për rivendosjen e marrëdhënieve me autoritetet e reja siriane.
Shpërthimet vijnë vetëm pak ditë pas një tjetër sulmi në kryeqytetin sirian, ku humbën jetën nëntë persona dhe u plagosën 22 të tjerë, duke nxjerrë në pah situatën e brishtë të sigurisë në vend.
