Egli Tako ka zgjedhur të kujtojë me vlerësim një nga momentet më të rëndësishme të karrierës së saj artistike. E ftuar në emisionin “Top Arena”, këngëtarja u pyet për bashkëpunimin e saj të parë muzikor me Olsi Bylykun, një projekt që u publikua në kohën kur ata ishin në një lidhje dashurie.
Pa u ndalur te e shkuara personale, Egli e vuri theksin te rëndësia profesionale e asaj kënge, duke theksuar se ajo mbetet një pikë kthese në rrugëtimin e saj në muzikë.
“Do flisja përgjithmonë me shumë mirënjohje dhe kënaqësi për këtë material muzikor, pasi ka qenë materiali i parë,” u shpreh ajo.
Artistja shtoi se suksesi i këngës ishte diçka që nuk mund të merrej si e mirëqenë, pasi jo çdo projekt arrin të prekë publikun në të njëjtën mënyrë.
“Të gjithë artistët e dinë se jo çdo material që lançojnë arrin të prekë një masë të madhe të popullit. Ky ka qenë materiali im i parë që arriti të prekë të gjithë shqiptarët anë e mbanë botës, ku do që ishin.”
Në fund, Egli nuk harroi të shprehte respekt edhe për ish-partnerin dhe kolegun e saj, duke nënvizuar se do ta kujtojë gjithmonë me mirënjohje atë bashkëpunim.
“Shumë mirënjohje ndaj projektit dhe artistit në fjalë gjithashtu.”
Ndërkohë, pas përfundimit të eksperiencës në “Big Brother VIP”, Egli Tako ka vijuar të jetë aktive në muzikë, duke publikuar projekte të reja që po priten mirë nga publiku dhe po forcojnë pozicionin e saj në skenën muzikore shqiptare.
