KreuCelebrity

Harry Styles hyn në Librin Guinness, vendos rekord historik me koncertet në Wembley

Harry Styles hyn në Librin Guinness, vendos rekord historik me koncertet
Harry Styles ka shtuar një tjetër arritje të rëndësishme në karrierën e tij, duke hyrë zyrtarisht në Librin e Rekordeve Botërore Guinness falë një rekordi të ri të vendosur në stadiumin legjendar Wembley në Londër.

Këngëtari britanik realizoi 12 koncerte radhazi të gjitha “sold out”, duke u bërë artisti me serinë më të gjatë të performancave në këtë stadium gjatë një turneu të vetëm. Me këtë arritje, ai la pas rekordin e mëparshëm të Coldplay, të cilët kishin mbajtur 10 koncerte radhazi në Wembley.

Will Munford, gjyqtar i Guinness World Records, e cilësoi suksesin e Styles si një dëshmi të ndikimit të tij në muzikën live dhe të lidhjes së veçantë që ka krijuar me publikun.

“Rekordi i Harry Styles me 12 performanca radhazi pasqyron shkallën, ambicien dhe ndikimin kulturor të shfaqjeve të tij live, si edhe marrëdhënien unike me fansat,” u shpreh ai.

Seria e koncerteve nisi më 12 qershor, në kuadër të turneut “Together, Together”, dhe u mbyll me një koncert madhështor përpara rreth 80 mijë spektatorëve.

Gjatë natës së fundit, Harry emocionoi publikun duke kujtuar vitet me One Direction. Ai falënderoi ish-anëtarët e grupit, Niall Horan, Louis Tomlinson, Zayn Malik dhe bëri një dedikim të veçantë për Liam Payne, i cili humbi jetën në vitin 2024.

“Nuk do të isha në këtë skenë sot pa katër miqtë e mi, që kanë qenë një pjesë shumë e rëndësishme e këtij udhëtimi”, u shpreh këngëtari.

One Direction u formua në vitin 2010 në spektaklin The X Factor dhe njoftoi një pauzë të pacaktuar në vitin 2016. Edhe pas shpërbërjes së grupit, Harry Styles ka vijuar të ndërtojë një karrierë solo tepër të suksesshme, ndërsa rekordi i ri në Wembley e forcon më tej statusin e tij si një nga artistët më të mëdhenj të muzikës pop.