KreuCelebrity

Nga skena e ‘X Factor Kids’ te planet për të ardhmen: Alex Gjonaj flet për Bordo

Me një zë të fuqishëm, interpretime që thyen kufijtë e moshës dhe një pjekuri artistike që surprizoi këdo, Alex Gjonaj rrëmbeu zemrat e publikut dhe të jurisë në “X Factor Kids Albania”. Sapo janë fikur dritat e skenës, por Alex kujton edhe një herë emocionet e këtij rrugëtimi sa të bukur, aq dhe impenjativ, përtej orëve të gjata të provave dhe adrenalinës së të premteve mbrëma, atij i është dashur të gjejë kohë edhe për mësimet. Pas kësaj sfide të bukur që e identifikoi si yllin e ardhshëm të muzikës, Alex e pret rikthimi në bankat e shkollës, pastaj pushimet verore. Djaloshi i talentuar rrëfen për “Bordo” rrugën e tij si një artist i ri dhe dëshirat që pret t’i kthejë në realitet në të ardhmen.  

Si ndihesh tani pas përfundimit të “X Factor” dhe eksperiencës, a të mungon? 

“X Factor Kids” ishte një eksperiencë shumë e bukur për mua. Duhet ta pranoj që ishte një përgjegjësi shumë e madhe që kërkonte kohë dhe punë, por nga ana tjetër edhe jemi argëtuar dhe kënaqur pafund. Pra, me gjithë lodhjen e madhe dhe angazhimin, mund të them se po, “X Factor” më mungon. Më mungon adrenalina, sfida, shokët, të premtet deri natën vonë. Bëra shumë shokë të rinj aty. Jam shumë i lumtur që mora pjesë në një rrugëtim të tillë artistik. 

Cili ka qenë momenti më emocionues gjatë gjithë kompeticionit? 

Ka patur shumë momente të tilla. Unë e kam të vështirë t’i ndaj. Të padiskutueshme janë duetet me mentoren time, Fifin. Por edhe dueti me Alban Skënderajn. Sigurisht, mbrëmja që u kualifikova për në finale është çasti më i bukur.  

Nga skena e ‘X Factor Kids’ te planet për të ardhmen: Alex

Mësimi më i madh që more gjatë eksperiencës në “X Factor”? 

Më thonin në fillim që çdo garë të rrit. Kjo s’ka të bëjë me vitet. “X Factor” më mësoi që kënga dhe arti nuk janë thjeshtë kënaqësi dhe argëtim. Janë disiplinë, janë lodhje dhe punë me orë të tëra. Janë bashkëpunim me gjithë stafin e “X Factor” dhe TV Klan. Me jurinë, me coachs, çunat dhe gocat e produksionit, me të mrekullueshmet Alketa Vejsiu dhe Vera Grabocka.  

Këshilla më e vyer që të ka dhënë mentorja jote Fifi? 

“Kurrë mos u dorëzo, Alex!”. E përshëndes dhe e përqafoj fort-fort Fifin!  

Cila performancë e jotja është më e veçanta për ty dhe pse? 

Ndoshta “Billie Jean”. Ndoshta, “Another love”. Ndoshta “Stay”. Nuk e ndaj dot.  

Nga skena e ‘X Factor Kids’ te planet për të ardhmen: Alex

Si e përjetove lidhjen me publikun dhe mbështetjen që more? 

Mbështetja e publikut në teatrin e TV Klan apo e teleshikuesve nga shtëpitë e deri te ndjekësit në mediat sociale, ishte gjëja më e bukur dhe surpriza më e madhe për mua. Kishte shumë të panjohur që na ndiqnin në TV Klan dhe më flisnin në rrugë, kryesisht bashkëmoshatarë, por edhe nëna dhe gjyshër. Nisën të më flisnin nëpër lokale ku uleshim me familjen. Mbështetja në rrjetet sociale me komente dhe vlerësime, më ka motivuar çdo javë. I falënderoj nga zemra të gjithë për inkurajimin dhe mbështetjen.  

Kush ishte suportuesi më i madh i yti në këtë rrugëtim? 

Padyshim mamaja ime, Fationa. Por ajo është edhe kritikja më e madhe. Debatet mes nesh ishin të mëdha (qesh). Dua të falënderoj gjithë familjen time, babin, vëllain, motrën, gjyshërit, xhaxhin. Një falënderim special shkon për Araldën, që më shumë e kam shoqe sesa teze! 

Çfarë është duke përgatitur aktualisht Alex si këngëtar? 

Sapo mbyllëm “X Factor” mu desh të kthehem me vrap te mësimet, që nuk i lija pas dore as gjatë kompeticionit. Por sidoqoftë vëmendja ishte e ndarë. Kështu që shkolla vjen e para. Në vijimësi Fifi organizoi një recital dhe isha shumë i lumtur që isha pjesë e këtij koncerti. Mora pjesë me shumë kënaqësi. Për të ardhmen? Le të mbetet surprizë.  

A do të kemi ndonjë këngë apo bashkëpunim me Fifin në të ardhmen? 

Po, dëshiroj shumë. Por, le të mbetet edhe kjo surprizë.  

Me cilin artist shqiptar tjetër do të kishe dëshirë të bashkëpunoje? 

Nuk është vetëm një. Me të gjithë artistët që më mbështetën në këtë rrugëtim. Mozik! Pirro Çako! Oriola Marashi! Alban Skënderaj! Bojken Lako! Do të kisha dëshirë për të bërë duete me ta.  

Përpos pasionit si këngëtar, çfarë të pëlqen të bësh më shumë në kohën e lirë? 

Teknologjia “me orar” (qesh). Udhëtimet, filmat, noti. Ka shumë. Tani duhet të mbyll me sukses këtë vit shkollor. Në verë do të udhëtojmë me familjen dhe do të pushoj pas një sezoni të ngarkuar. E sigurt që nuk do të dal nga deti! (qesh). 

Çfarë ëndrre të madhe ka Alex për të ardhmen? 

Të bëj gjithçka ashtu siç duhet në jetën time. Shkollën. Muzikën. Kur të rritem, punën time. Dua të bëj krenarë prindërit e mi që punojnë përditë për të na mbështetur dhe siguruar kushtet e jetës, shkollës, dhe mua të më japin pafund dashuri në rrugën e muzikës.  

Nga skena e ‘X Factor Kids’ te planet për të ardhmen: Alex

Si arrin të menaxhosh shkollën dhe muzikën njëkohësisht? 

Jam përpjekur shumë që muzika mos të ndikojë te shkolla. Në fundjavë rikuperoja ato që më ndikonte e premtja. Pasioni për muzikën nuk duhej të më dëmtonte detyrimet e mia në shkollë.  

Një këshillë që do t’i jepje bashkëmoshatarëve të tu? 

Mos hezitoni të provoni. Mos u stepni. Dhe për çdo gjë duhet pasion. Pa pasion nuk bëhet asgjë.