
Qyteti japonez Toyoake ka propozuar një rregullore të re për të kufizuar përdorimin e smartphone-ve vetëm në 2 orë në ditë, me synimin për të luftuar varësinë nga pajisjet elektronike. Nisma, e paraqitur më 25 gusht nga zyrtarët e qytetit në prefekturën Aichi, nuk i drejtohet vetëm të rinjve, por edhe të rriturve.
Sipas propozimit, banorët e Toyoake që përdorin telefona, kompjuterë, tableta apo pajisje lojërash, ftohen të kufizojnë kohën para ekranit në dy orë jashtë orarit të punës ose të shkollës. Për fëmijët, përdorimi i smartphone-ve lejohet deri në orën 21:00, ndërsa për nxënësit e shkollave të mesme e të larta deri në orën 22:00.
Sipas kryebashkiakut Masafumi Koki, iniciativa synon të “parandalojë përdorimin e tepruar të pajisjeve që shkaktojnë probleme fizike dhe mendore, përfshirë edhe çrregullimet e gjumit”.
Kjo nuk është hera e parë që ngrihet ky shqetësim. Në vitin 2017, ish-CEO i Netflix, Reed Hastings, kishte deklaruar se rivali më i madh i platformës së transmetimit nuk ishte një kompani tjetër, por gjumi. Me kalimin e viteve, ekranet janë bërë gjithnjë e më të pranishme në jetën tonë, deri në pikën që në disa raste kanë krijuar varësi të vërtetë.
