
Pekini është kthyer në kryeqendrën e teknologjisë dhe sportit, pasi aty kanë nisur Lojërat e para Botërore të Humanoidëve. Për herë të parë, atletë-robotë nga 16 vende të ndryshme të botës, mes tyre SHBA, Gjermania dhe Japonia, po garojnë në disiplina që zakonisht i përkasin sportistëve njerëzorë: atletikë, futboll, arte marciale e shumë të tjera.
Organizatorët e ngjarjes theksojnë se këto gara nuk kanë vetëm vlerë spektakolare, por shërbejnë edhe si një provë gjigante për zhvillimin e teknologjisë së robotikës, duke testuar kufijtë e shkathtësisë, shpejtësisë dhe inteligjencës artificiale.
“Ky është një hap i madh përpara për të ardhmen e sportit dhe robotikës. Përmes këtyre sfidave ne arrijmë të përsosim teknologjinë dhe të kuptojmë më mirë mundësitë që ofrojnë robotët humanoidë,” u shprehën organizatorët.
Me interes të madh nga mediat dhe publiku, Lojërat e Humanoidëve pritet të shënojnë fillimin e një epoke të re ku sporti, shkenca dhe teknologjia bashkohen në të njëjtën arenë.
Duket se pyetja që lind tani është: a do të mundet një ditë njeriu të konkurrojë seriozisht me robotin në sport?
