
Një përballje që ka tronditur Silicon Valley. Mark Zuckerberg, CEO i Metës, i ofroi shqiptares Mira Murati 1 miliard dollarë për të blerë startup-in e saj të ri, Thinking Machines Lab. Por ajo refuzoi. Edhe një shumë marramendëse nuk e tundoi Muratin që të dorëzojë projektin që sapo ka nisur.
Murati, e cila ishte shefe e teknologjisë në OpenAI për më shumë se gjashtë vite dhe një nga figurat më të rëndësishme në krijimin e ChatGPT, vendosi të hapte rrugën e saj personale në shkurt 2025, duke themeluar Thinking Machines. Ajo e nisi projektin me një vizion të qartë për të ndërtuar një inteligjencë artificiale më të kuptueshme, të personalizueshme dhe të aftë.
Zuckerberg nuk u ndal me kaq. Në javët në vijim, Meta u përpoq të “rrëmbente” deri në 50 anëtarë të ekipit të Muratit, përfshirë edhe bashkëthemeluesin Andrew Tulloch, të cilit iu ofrua një paketë me vlerë 1.5 miliardë dollarë për 6 vite. Por edhe ai e refuzoi ofertën.
Meta, në një reagim zyrtar përmes zëdhënësit Andy Stone, i quajti raportimet për ofertat “të pasakta dhe qesharake”, duke mohuar interesin për të blerë Thinking Machines. Megjithatë, faktet tregojnë një përpjekje agresive për të tërhequr njerëzit kyç të startup-it.
Pse e duan Mirën?
Sipas Wall Street Journal, Murati është shumë më tepër se një drejtuese teknologjie. Ajo vlerësohet për inteligjencën emocionale, modestinë dhe kulturën përfshirëse që ka ndërtuar në çdo ekip ku ka punuar. Edhe në Thinking Machines, ajo i ka rreshtuar kërkuesit më të lartë si anëtarë të barabartë të stafit teknik – një qasje që nxit bashkëpunim dhe respekt të ndërsjellë.
Në startup-in e saj të ri, ajo ka mbledhur tashmë 2 miliardë dollarë fonde, ku përfshihen investitorë të mëdhenj si NVIDIA, AMD, Jane Street dhe edhe Qeveria Shqiptare, e cila ka kontribuar me 10 milionë dollarë përmes Korporatës së Investimeve Shqiptare.
Thinking Machines po zhvillon një AI multimodal, që do të funksionojë në përputhje me mënyrën natyrale të ndërveprimit të njeriut me botën. Produkti i parë pritet të prezantohet brenda pak muajsh.
Lufta e Zuckerberg për të kapur trenin e AI
Meta ka nisur së fundmi laboratorin për Superinteligjencë, duke emëruar në krye të tij Shengjia Zhao, një nga krijuesit e ChatGPT. Qëllimi i Zuckerberg është të arrijë kompanitë kryesore si OpenAI, Anthropic dhe… tani edhe Thinking Machines.
Por, ndërsa paratë janë të bollshme, fryma dhe misioni nuk janë për shitje. Shumë nga këta shkencëtarë ndajnë një vizion të përbashkët: të ndërtojnë AI që e ndihmon njerëzimin, jo thjesht të fitojnë para.
Për Muratin dhe ekipin e saj, kjo është një thirrje – jo një punë. Dhe ky është sekreti pse nuk mund të blihen, as me 1 miliard dollarë.
