
Në një botë gjithnjë e më të zhurmshme dhe të lodhshme, gjithnjë e më shumë gra po marrin një vendim që dikur shihej si i pazakontë: të udhëtojnë vetëm. Jo për punë. Jo sepse nuk kishin me kë. Por sepse duan t’i rikthehen vetes.
Pushimet solo nuk janë më një “akt rebelimi”, por një mënyrë e shëndetshme për të rigjetur balancën emocionale, për të reflektuar dhe për të krijuar kujtime vetëm me veten. Nga fundjavat në jug të Shqipërisë, deri tek arratisjet në qytetet europiane, gratë po zgjedhin të shijojnë kohën me veten pa ndjesinë e fajit.
Psikologët e shohin këtë si një formë të fuqishme të vetëkujdesjes, ndërsa rrjetet sociale janë mbushur me vajza që ndajnë përvojat e tyre: të shtruara në një kafe me pamje nga deti, duke lexuar një libër, ose thjesht duke ecur pa orar nëpër rrugicat e një qyteti të ri.
“Nuk më duhej të shpjegohesha për asgjë. U zgjova kur doja, hëngra ku doja, dhe e kuptova sa mirë ndihem me veten time,” shkruan një ndjekëse në Instagram, duke frymëzuar shumë të tjera.
Ky trend nuk është thjesht modë, është një manifest personal: që lumturia nuk varet gjithmonë nga shoqëria e dikujt tjetër, por nga lidhja që kemi me veten. Dhe ndonjëherë, për të dëgjuar veten, duhet thjesht të udhëtosh vetëm.
