Përdorimi i përditshëm i telefonit inteligjent dhe pajisjeve të tjera teknologjike nuk ndikon vetëm te shëndeti mendor, por edhe te trupi ynë. Sipas ekspertëve, orët e gjata para ekranit mund të shkaktojnë ndryshime fizike që shpesh kalojnë pa u vënë re, duke prekur qafën, shikimin, duart, lëkurën dhe madje edhe aftësitë motorike.
Një nga problemet më të zakonshme është i ashtuquajturi "tech neck" (qafa teknologjike). Përkulja e vazhdueshme e kokës për të parë telefonin ushtron deri në 27 kilogramë presion mbi qafën, gjë që me kalimin e kohës mund të dëmtojë disqet e shtyllës kurrizore, nyjet dhe muskujt, madje edhe të ulë kapacitetin e mushkërive. Ekspertët këshillojnë që telefoni të mbahet në nivelin e syve dhe të bëhen pushime të shkurtra nga ekrani çdo 20-30 minuta.
Një tjetër shqetësim që po diskutohet gjithnjë e më shumë është shfaqja e rrudhave në qafë si pasojë e qëndrimit të vazhdueshëm me kokën përpara. Dermatologët thonë se teoria ka kuptim, pasi lëvizjet e përsëritura mund të favorizojnë krijimin e rrudhave, megjithatë ende mungojnë studime që ta vërtetojnë përfundimisht këtë lidhje.
Edhe përdorimi i vazhdueshëm i orëve inteligjente mund të shkaktojë irritime të lëkurës. Zona nën orë krijon një ambient të ngrohtë dhe të lagësht që favorizon zhvillimin e baktereve duke rritur rrezikun për ekzemë ose alergji. Specialistët rekomandojnë heqjen e orës herë pas here dhe pastrimin e rregullt të lëkurës.
Ndërkohë, rastet e miopisë po shtohen në mbarë botën. Sipas studiuesve, problemi nuk lidhet drejtpërdrejt me telefonin, por me faktin se teknologjia na mban më shumë brenda ambienteve të mbyllura. Koha e kaluar jashtë, në dritën natyrale, duket se ka një efekt mbrojtës për zhvillimin e syve.
Ekspertët paralajmërojnë gjithashtu për dobësimin e forcës së kapjes së dorës, një tregues që lidhet me gjendjen e përgjithshme shëndetësore. Jeta sedentare dhe puna e vazhdueshme para kompjuterit besohet se po kontribuojnë në uljen e forcës muskulore, veçanërisht te të rinjtë. Aktiviteti fizik dhe ushtrimet për duart rekomandohen si mënyra më e mirë për të parandaluar këtë problem.
Edhe aftësitë motorike mund të ndikohen nga përdorimi i tepërt i ekraneve. Studiuesit kanë vënë re se, megjithëse teknologjia përmirëson shkathtësinë në klikim dhe përdorimin e pajisjeve dixhitale, ajo lidhet me një zhvillim më të dobët të aftësive të imëta motorike, sidomos te fëmijët. Për këtë arsye, rekomandohet që në përditshmëri të përfshihen aktivitete praktike si gatimi, vizatimi, punimet artistike, luajtja e një instrumenti muzikor ose thjesht shkrimi me dorë.
Ekspertët theksojnë se nuk ka nevojë të hiqni dorë nga teknologjia, por ta përdorni atë me kujdes. Mbajtja e një qëndrimi korrekt, pushimet e rregullta nga ekrani, aktiviteti fizik dhe më shumë kohë në natyrë janë disa nga hapat më të thjeshtë që mund të ndihmojnë në mbrojtjen e shëndetit afatgjatë.
Chapter X / Një histori e shënuar për 10 vjet
Koha për të dalë nga qyteti!
Me pamje nga ballkoni
