
Një tjetër projekt i lënë pas nga Shpat Kasapi ka parë dritën e publikimit. Bashkëshortja e artistit të ndjerë, Selvija, ka mbajtur premtimin e dhënë më herët, duke sjellë për fansat këngën që këngëtari nuk arriti ta publikonte gjatë jetës.
Projekti muzikor me titull “Nana” është publikuar tashmë në platformën YouTube dhe është pritur me shumë emocione nga admiruesit e artistit, të cilët kanë pasur mundësinë të dëgjojnë sërish zërin e tij.
Një element i veçantë i këtij publikimi është edhe videoklipi shoqërues. Falë teknologjisë së Inteligjencës Artificiale, është krijuar një video prekëse ku Shpat Kasapi paraqitet me krahë engjëlli pranë nënës së tij, duke i dhënë projektit një ngarkesë të fortë emocionale.
Selvija kishte bërë të ditur më herët se do të kujdesej që krijimet e papublikuara të bashkëshortit të saj të arrinin te publiku. “Nana” është projekti i parë i publikuar pas ndarjes së tij nga jeta, ndërsa pritet që në të ardhmen të prezantohen edhe materiale të tjera muzikore, si një mënyrë për të ruajtur dhe përcjellë trashëgiminë artistike të Shpat Kasapit.
