Një rast i ndjeshëm që përfshin tre fëmijë të mitur është bërë publik ditët e fundit në Durrës, pasi 33-vjeçarja Blerina Basha është denoncuar për braktisje të fëmijëve të saj, të moshave 5, 10 dhe 12 vjeç.
Rasti u bë publik fillimisht në rrjetet sociale, ku ish-vjehrra e Bashës publikoi një video nga banesa ku jetonin fëmijët.
Në videot e publikuara shihen tre të miturit të vetëm në shtëpi, ndërsa shihen dhe komentohet dhe kushtet e banesës, të cilat teksa shikohet gjendja e rrëmujës dhe papastërtisë.
Sipas videos, fëmijët pretendojnë se nuk kanë ujë, ndërsa rrobat dhe sendet shtëpiake janë të shpërndara nëpër dysheme dhe ambientet sanitare paraqiten në gjendje të rënduar higjienike.
Pas publikimit të videos, institucionet shtetërore kanë reaguar duke nisur verifikimet përkatëse, me qëllim vlerësimin e situatës dhe garantimin e mbrojtjes së fëmijëve.
Nga ana tjetër, nëna e fëmijëve ka mohuar kategorikisht akuzat, duke deklaruar se nuk ka pasur braktisje, por se në momentin e ngjarjes ndodhej në punë. Blerina Basha shprehet se punon si banakiere në një lokal dhe se, për shkak të pamundësive ekonomike, është e detyruar t’i lërë fëmijët bashkë gjatë orarit të punës.
“Nuk i braktisa. Isha në punë. Punoj si banakiere në një lokal dhe i lë të tre fëmijët bashkë kur shkoj në punë. Paguhem 400 mijë lekë në muaj dhe paguaj 300 mijë qiranë e shtëpisë. Nuk kam të ardhura të mjaftueshme për t’i rritur dhe ushqyer fëmijët, nuk mund të jem gjithmonë pranë tyre“, ka deklaruar ajo.
Basha e cilëson denoncimin si një “kurth” të organizuar nga ish-vjehrra, duke pretenduar se kjo e fundit ka hyrë pa leje në banesë dhe ka ndikuar tek fëmijët për të folur kundër saj. “Nuk është e drejtë që dikush të hyjë në shtëpinë time pa leje dhe më pas të më denoncojë”, shprehet ajo.
Nëna e tre fëmijëve tregon se është e divorcuar prej pesë vitesh dhe se babai i fëmijëve, i cili ka qenë i dënuar në Itali, ka kontribuar minimalisht financiarisht. Ajo shton se një nga fëmijët ka vuajtur nga epilepsia dhe ka pasur trajtime të gjata mjekësore, ndërsa mungesat e fundit në shkollë janë justifikuar me një sëmundje ngjitëse që tashmë është kaluar.
E shqetësuar për pasojat e hetimit, Basha thotë se është marrë në pyetje nga policia dhe ka frikë se mund t’i hiqen fëmijët. “Nuk do t’i lejoj kurrë të shkojnë në jetimore. Do të bëj gjithçka për t’i mbrojtur”, deklaron ajo.
Hetimet nga institucionet përkatëse vijojnë, ndërsa rasti mbetet në vëmendje për shkak të ndjeshmërisë dhe implikimeve sociale që lidhen me mbrojtjen e të miturve.
