
Pas Novoselës në Vlorë, autoritetet kanë urdhëruar evakuimin e menjëhershëm edhe për banorët në Durrës, konkretisht në njësitë administrative Sukth dhe Katund i Ri, për shkak të rrezikut që u kanoset nga përmbytjet.
Procesi i evakuimit po realizohet në koordinim me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, prefekturën dhe strukturat vendore të emergjencave.
Sipas njoftimit të shpërndarë nga Ministria e Mbrojtjes, evakuimi po kryhet me prioritet për fëmijët, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara dhe familjet në zona të izoluara, ndërsa transporti sigurohet nga mjetet e bashkisë, shërbimi zjarrfikës dhe Forcat e Armatosura.
Bashkia, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe shërbimet shëndetësore e sociale, do të kujdeset për strehimin e përkohshëm, regjistrimin e të evakuuarve dhe plotësimin e nevojave bazë. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të ndjekin udhëzimet në terren dhe të kontaktojnë numrin e emergjencave në rast nevoje.


