
Një zjarr katastrofik që shpërtheu në orët e para të Vitit të Ri ka kthyer tashmë festën në një tragjedi të madhe në resortin alpin të Crans-Montana, në Zvicër. Rreth 40 persona kanë humbur jetën dhe të paktën 115 të tjerë janë plagosur, shumë prej tyre rëndë, pasi flakët përfshinë barin e njohur Le Constellation, ku po festohej ndërrimi i viteve.
Zjarri shpërtheu rreth orës 01:30 të mëngjesit të 1 janarit, në një moment kur lokali ishte i mbushur me persona kryesisht të rinj e adoleshentë, vendas dhe turistë të huaj, që kishin zgjedhur Crans-Montana për të festuar Vitin e Ri. Sipas autoriteteve, në bar ndodheshin dhjetëra persona dhe atmosfera festive u shndërrua brenda pak çastesh në panik dhe kaos.
Dëshmitarë okularë tregojnë se flakët u përhapën me një shpejtësi jashtëzakonisht të madhe. Tymi i dendur dhe nxehtësia e madhe bënë që shumë njerëz të mbeteshin të bllokuar brenda. Të mbijetuarit kanë përshkruar skena dramatike, ku klientët përpiqeshin të shpëtonin duke thyer dritaret, duke ndihmuar njëri-tjetrin dhe duke kërkuar rrugëdalje mes flakëve.
Në operacionin e shpëtimit u angazhuan forca të mëdha emergjence. 13 helikopterë, 42 ambulanca dhe rreth 150 efektivë zjarrfikës, policë dhe mjekë u dërguan menjëherë në vendngjarje. Të plagosurit u transportuan në spitale të ndryshme në Zvicër dhe jashtë saj, ndërsa gjendja e shumë prej tyre vazhdon të jetë kritike.
Ekspertët e zjarreve dyshojnë se përhapja kaq e shpejtë e flakëve lidhet me një fenomen të njohur si “flashover”. Presidenti i Shoqatës Britanike të Hetuesve të Zjarreve, Richard Hagger, shpjegoi se në raste të tilla zjarri nis fillimisht në tavan dhe më pas rrezatimi termik përhapet në të gjithë ambientin, duke djegur mobiliet dhe objektet e tjera pothuajse njëkohësisht. Brenda sekondash, e gjithë hapësira u përfshi nga zjarri, duke mos lënë kohë për reagim.
Hetimet për shkaqet e zjarrit janë ende në vijim. Autoritetet zvicerane kanë bërë të ditur se ekzistojnë disa hipoteza, por për momentin nuk kanë konfirmuar asnjë version zyrtar. Ata kanë refuzuar të komentojnë spekulimet e disa dëshmitarëve, sipas të cilëve zjarri mund të ketë nisur nga qirinj festash mbi shishe shampanje, që dyshohet se kanë marrë flakë në kontakt me tavanin e lokalit.
