KreuBusull

Buxheti më i madh në histori dhe 600 mijë turistë: Çfarë po përgatit Kavaja?

Buxheti më i madh në histori dhe 600 mijë turistë:

Revista Bordo sot ndalet në qytetin e Kavajës, një destinacion që po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje si nga vizitorët vendas, ashtu edhe nga turistët e huaj. Me një vizion të qartë zhvillimi, investime të rëndësishme dhe një fokus të fortë te turizmi, Kavaja po shndërrohet gradualisht në një qytet bregdetar të mirëfilltë, ku ndërthuren deti, kultura dhe mikpritja.

Kryetari i Bashkisë së Kavajës, Fisnik Qosja, e cilëson fundin e vitit 2025 si një moment kyç për qytetin.

“Sapo kemi miratuar buxhetin më të madh në historinë e Kavajës, 25 miliardë lekë të vjetra. Është një buxhet i miratuar nga të gjitha palët politike dhe besoj se brenda një viti, maksimumi një vit e pak, Kavaja do të jetë komplet e transformuar,”  shprehet ai.

Një nga projektet më të rëndësishme që pritet të ndikojë drejtpërdrejt në zhvillimin e turizmit është rruga e bregdetit, e cila do të lidhë qendrën e qytetit me plazhin. “Është një rrugë rreth 6 kilometra që do të krijojë një lidhje fizike mes Kavajës dhe detit. Me këtë investim, Kavaja do të jetë realisht një qytet bregdetar,” – thekson Qosja.

Ndërkohë, investimet nuk kufizohen vetëm te infrastruktura rrugore. Bashkia po rikualifikon edhe zonën historike të qytetit, duke përfshirë rrugën që lidh xhaminë me Muzeun Etnografik. “Po i japim një pamje krejt tjetër kësaj rruge, me pllaka guri, fasada të riveshura dhe ndriçim dekorativ, në mënyrë që turisti të ketë çfarë të shohë dhe ku të ecë,” shton kryebashkiaku.

Sa i përket shifrave, viti 2025 ka qenë pozitiv për turizmin. “Sot Bashkia e Kavajës përballon rreth 600 mijë turistë në vit. Kemi kapacitete hoteliere shumë të mira, kulinari të shkëlqyer dhe mbi të gjitha mikpritje,”  thotë Qosja, duke pranuar se ende ka hapësirë për përmirësim në infrastrukturën e brendshme dhe menaxhimin e pastrimit.

Pika më e fortë e qytetit, sipas tij, mbetet tradita e mikpritjes. “Kjo ka qenë gjithmonë arma jonë më e fortë. Kur gërshetohet mikpritja me investimet serioze të biznesit vendas, krijohet një ansambël që e bën turizmin të funksionojë.”

Një dimension i rëndësishëm i ofertës turistike të Kavajës është edhe Muzeu Etnografik, një nga më të bukurit në Shqipëri, i cili ruan identitetin dhe trashëgiminë kulturore të qytetit përmes veshjeve tradicionale, veglave të punës dhe objekteve artizanale.

“Sfida ime personale është që Kavaja të mos shihet më si një qytet i shkëputur nga deti, por si një qytet turistik i mirëfilltë,” përfundon kryebashkiaku.

Intervista e plotë më poshtë: