KreuBusull

Mesha e parë e Krishtlindjes nga Papa Leoni XIV: Një ekonomi e shtrembëruar i trajton njerëzit si mall

Mesha e parë e Krishtlindjes nga Papa Leoni XIV: Një ekonomi e


Në meshën e tij të parë të natës së Krishtlindjes si Papë, Leoni XIV ka denoncuar ashpër një ekonomi që, sipas tij, “i shtyn njerëzit të trajtohen si mall”. Ai theksoi se mesazhi i Krishtit është çlirimi i njeriut nga çdo formë skllavërie.

“Ndërsa një ekonomi e shtrembëruar i trajton njerëzit si mall, Zoti bëhet i ngjashëm me ne, duke zbuluar dinjitetin e pafund të çdo personi”, u shpreh Papa, emri i vërtetë i të cilit është Robert Francis Prevost.

Ai nënvizoi kontrastin mes ambicies njerëzore për dominim dhe mesazhit hyjnor të shërbimit.

“Ndërsa njeriu kërkon të bëhet Zot për të sunduar mbi të tjerët, Zoti bëhet njeri për të na çliruar nga çdo skllavëri. A mjafton kjo dashuri për të ndryshuar historinë tonë”, pyeti në mënyrë retorike Ati i Shenjtë.

Gjatë pontifikatit të tij, Leoni XIV ka folur vazhdimisht kundër pabarazive globale dhe përqendrimit të pasurisë në duart e pak individëve, duke i bërë thirrje Kishës që të jetë pranë më të varfërve. Edhe zgjedhja e emrit papnor nuk është rastësore: Ajo i referohet Papa Leonit XIII, themeluesit të doktrinës moderne sociale të Kishës, dhe tregon vëmendjen e veçantë që Papa i ri i kushton çështjeve të punës dhe drejtësisë sociale në një epokë të shënuar nga revolucioni digjital.

Në homelinë e mbajtur në Bazilikën e Shën Pjetrit, Papa foli për lindjen e Jezusit, e shënuar nga shfaqja e një ylli.

“Nuk ka errësirë që ky yll të mos e ndriçojë, sepse në dritën e tij e gjithë njerëzimi sheh agimin e një jete të re dhe të përjetshme”, tha Leone XIV.

Ai paralajmëroi se kur humbet e vërteta thelbësore e dinjitetit njerëzor, “nuk ka më vend për të tjerët, për fëmijët, për të varfrit, për të huajt”. Papa citoi fjalë të Papa Benediktit XVI, duke theksuar aktualitetin e tyre.