
Një ngjarje e rëndë kriminale është regjistruar në orët e para të mëngjesit në fshatin Vidhisht të Roskovecit, ku një 35-vjeçar dyshohet se ka qëlluar me armë ndaj familjes së ish-bashkëshortes së tij.
Sipas të dhënave paraprake të Policisë së Fierit, rreth orës 06:00, i dyshuari me inicialet R. B. ka përdorur një armë gjahu, duke qëlluar mbi ish-vjehrrin e tij, K. P., 58 vjeç, i cili ka ndërruar jetë në vendngjarje.
Nga sulmi ka mbetur e plagosur edhe ish-vjehrra e autorit të dyshuar, B. P., rreth 55 vjeçe, e cila është transportuar në spital dhe po merr trajtim mjekësor.
Pas ngjarjes, 35-vjeçari dyshohet se është larguar me automjet, duke marrë me vete ish-bashkëshorten, R. P. Sipas Policisë, ekzistojnë dyshime se ajo është marrë kundër vullnetit të saj, ndërsa autori ka marrë me vete edhe armën e përdorur në krim.
Forca të shumta policie janë angazhuar menjëherë në kërkim të të dyshuarit. Janë ngritur pika kontrolli dhe po zhvillohen kontrolle në zona të ndryshme për lokalizimin dhe arrestimin e tij.
Ndërkohë, grupi hetimor, në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijon hetimet për të zbardhur motivin dhe të gjitha rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë.
