
Një nga betejat ligjore më të kushtueshme të viteve të fundit në Korenë e Jugut ka hyrë në një fazë të re. Kryetari i gjigantit industrial SK Group, Chae Tae-won, është urdhëruar nga gjykata t’i transferojë ish-bashkëshortes së tij, Roh So-yong, rreth 944 miliardë won, ose afërsisht 644 milionë dollarë, si pjesë e ndarjes së pasurisë pas divorcit.
Megjithatë, vendimi nuk është ende përfundimtar dhe pritet të kalojë në procese të tjera gjyqësore. Shuma e re është më e ulët krahasuar me vendimin e dhënë vitin e kaluar, kur kompensimi ishte llogaritur në 1.38 trilionë won.
Chae Tae-won dhe Roh So-yong i dhanë fund një martese që zgjati plot 35 vjet. Historia e tyre u trondit vite më parë, pasi biznesmeni pranoi publikisht se kishte krijuar një familje tjetër dhe kishte një fëmijë jashtë martese, çka çoi përfundimisht në ndarjen e çiftit.
Pas vendimit të fundit, përfaqësuesit ligjorë të kreut të SK Group deklaruan se ai shpreh keqardhje për vëmendjen e madhe që ka marrë procesi i divorcit dhe se do të vendosë për hapat e mëtejshëm pasi të shqyrtojë arsyetimin e plotë të gjykatës.
Një nga pikat më të debatueshme të çështjes lidhet me origjinën e pasurisë së familjes. Pala e Roh So-yong ka argumentuar se zhvillimi i perandorisë së biznesit të Chae është mbështetur financiarisht nga babai i saj, ish-presidenti Roh Tae-woo.
Në një vendim të mëparshëm, gjykata kishte pranuar pretendimin se rreth 30 miliardë won ishin transferuar në fillim të viteve ’90 nga një fond politik sekret për të mbështetur biznesin e Chae. Megjithatë, Gjykata e Lartë e rrëzoi këtë argument, duke vlerësuar se fondet kishin origjinë të paligjshme dhe nuk mund të përfshiheshin në llogaritjen e pasurisë së përbashkët.
Ndërkohë, SK Group mbetet një nga kompanitë më të mëdha dhe më me ndikim në Korenë e Jugut, e dyta vetëm pas Samsung. Grupi ka forcuar pozitat e tij vitet e fundit falë investimeve në inteligjencën artificiale dhe prodhimin e gjysmëpërçuesve, ndërsa filiali SK Hynix është shndërruar në një nga furnizuesit kryesorë të çipave të memories për teknologjitë e AI.
Falë këtyre investimeve, Chae Tae-won vazhdon të konsiderohet një nga figurat më të rëndësishme të biznesit aziatik dhe së fundmi është vlerësuar publikisht edhe nga presidenti koreano-jugor Lee Jae-myung për rolin e tij në zhvillimin e sektorit të inteligjencës artificiale.
