
Një peticion online që kërkon përjashtimin e përhershëm të Argjentinës nga Kampionatet Botërore ka marrë përmasa të jashtëzakonshme, duke mbledhur mbi 23 milionë firma nga përdorues në mbarë botën brenda më pak se një jave.
Nisma, e publikuar në platformën argentinaout.com, pretendonte se Argjentina kishte përfituar nga vendime të diskutueshme gjatë Botërorit dhe akuzonte FIFA-n për favorizim ndaj Lionel Messit dhe kombëtares argjentinase.
Mesazhi i peticionit ishte i drejtpërdrejtë: “Pse duhet të garojnë kombëtaret e tjera, nëse fituesi është vendosur paraprakisht? Përjashtoni Argjentinën nga Botërori dhe jepuni të gjithëve mundësi të barabarta.”
Edhe pse nisma nuk ka asnjë vlerë ligjore apo ndikim në vendimet e FIFA-s, numri i firmave e ka kthyer atë në një nga peticionet më të mbështetura ndonjëherë në internet, duke iu afruar edhe rekordit Guinness për peticionet online.
Pakënaqësia ndaj Argjentinës u shtua gjatë Botërorit për shkak të disa episodeve që ngjallën polemika. Kritikët përmendën vendime arbitrare të diskutueshme, mungesën e sanksioneve pas shfaqjes së një banderole me mesazh politik për Ishujt Falkland gjatë ndeshjes me Anglinë, si dhe incidente të tjera disiplinore që, sipas tyre, nuk u trajtuan me të njëjtin standard si rastet e kombëtareve të tjera.
Këto polemika ushqyen teori konspirative në rrjetet sociale, sipas të cilave FIFA kishte favorizuar Argjentinën gjatë turneut. Edhe pse nuk ka prova që mbështesin këto pretendime, peticioni u bë simbol i pakënaqësisë së një pjese të tifozëve nga vende të ndryshme të botës.
Pavarësisht jehonës së madhe në internet, peticioni nuk pritet të ketë asnjë efekt praktik, pasi FIFA nuk merr vendime disiplinore mbi bazën e nismave të tilla publike.
