KreuCelebrity

Komedia italiane humbet mbretëreshën e saj: Shuhet Monica Vitti!

Monica Vitti, një prej emrave më të njohur të kinematografisë italiane, është shuar në moshën 90 vjecare. Ikona e artit të shtatë në vendin tonë fqinj, nuk ishte shfaqur më në skenë që prej vitit 2001. Muza e Michelangelo Antonioni konsiderohej mbretëreshë e komedisë italiane, në krah të Alberto Sordit.

Por Vitti së fundi ishte prekur nga një sëmundje neuro-degjenerative, e ngjashme me Alzheimer, që e kishte izoluar nga të gjithë. Pranë i qëndroi në cdo moment, bashkëshorti, Roberto Russo. Ai vazhdimisht kishte rrëzuar lajmet e rreme që shfaqeshin në mediat sociale, por sot iu desh ta jepte vetë njoftimin e trishtë.

Monica Vitti konsiderohej mishërimi i gjallë i epokës së artë të kinemasë italiane: e talentuar, me një pamje joshëse, karizëm dhe një zë të thellë, ajo krijoi një imazh që askush tjetër nuk mundi ta përmbyste.

U rrit në Sicili dhe u dashurua pas recitimit që në vitet e adoleshëncës. Në 1953, u diplomua në Akademinë e artit dramatik, dhe që prej atëherë nuk u ndal më duke interpretuar në një sërë rolesh që mbeten të paharruara për publikun.