Anastas Kristofori ka ndërruar jetë në moshën 78-vjeçare. Aktori i njohur njihet më së shumti për rolin e Perikliut në komedinë “Pallati 176”.
Lajmi i trishtë është bërë i ditur nga miqtë dhe familjarët e aktorit të cilët kanë ndarë ngushëlimet e tyre në rrjetet sociale. Mësohet se varrimi i aktorit do të bëhet në Vuno në vendin e tij të lindjes, ditën e nesërme.
Gjatë karrierës së tij Anastas Kristofori është vlerësuar me titullin e lartë “Artist i Merituar”. Të shumtë janë interpretimet e tij në skenën e tetarit, ku do të përmendim rolin e zotit Dëllfit në dramën “Arturo Ui”, roli i sekretarit të Prefektit në dramën “Prefekti”, rolin e Apostolit në dramën “Komunistët” etj.
Kujtojmë që në kinematografi roli i tij i parë ishte në vitin 1976 roli i Stavrit në filmin “Lulëkuqet mbi mure”, më tej do të vazhdonin edhe role të tjera si, psh. roli i Ndoc Markut në filmin “Besa e kuqe” në vitin 1982, rolin e z. Antonio, në filmin “Vendimi” në vitin 1984, rolin e z. Mavrojanis në filmin “Misioni përtej detit” në vitin 1988. Roli i tij më i fundit do të jetë roli i Perikliut në kinodramën “Po vjen Ai” në vitin 1998, një vazhdim televiziv i komedisë së njohur “Pallati 176”.




