KreuBordo Men

Intervistë/Xhani gentlemani i televizionit!

Modeli që ai ka reflektuar prej vitesh nga ekrani, si një mashkull i rafinuar, inteligjent por edhe plot stil, ka vulosur fatin të jetë ambasador i markës së njohur italiane Aquamarine në Shqipëri.

Xhani, është nga ata personazhe që të bën ta kesh xhan që në takimin e parë, madje edhe përgjithmonë. Xhani Shqerra ka shumë etikë, stil në veshje dhe është tejet detajist në zgjedhjen e aksesorëve, ndaj edhe marka prestigjioze italiane “Aquamarine” nuk mund të bënte zgjedhje më të zgjuar duke e zgjedhur si ambasador të saj. Por, nëse do të flisni për pak minuta me Xhanin, do të harroni gjithçka nga dukja e tij: pas pamjes, fshihet edhe një mendje po aq e bukur, një inteligjencë e admirueshme, e cila nëse përmes ekranit mund t’ju ngjajë sikur ka mësuar përmendësh skenarin, në fakt, ai i tillë është edhe në jetën e përditshme. Ai e njeh shumë mirë muzikën, po aq sa edhe të flasë me orë të tëra për stilin dhe modën, të bën të dashurosh botën e dizajnit më shpjegime të rafinuara, ashtu sikur ndodhet para kamerave në një emision ku prezanton me shumë dashuri botën e tij të bukur…! Kaq, mjaftojnë për ta etiketuar Xhanin me plot gojë si Gentlemani i televizoneve në Shqipëri, cilësi të cilën e kanë qëmtuar me shumë kureshtje kolegët e mediave italiane, duke e ftuar për të prezantuar një program në Itali.

Xhani ktheheni në Itali, aty ku ka nisur rrugëtimi juaj, si ndiheni dhe çfarë emocionesh ju dhuron ky vend?

Italia është shtëpia ime e dytë për shkak se me këtë vend nuk më lidhin vetëm kujtimet, por familja ime vazhdon të jetojë në këtë vend. Për këtë arsye vizitat janë të shpeshta dhe jam munduar mos të humb as kontaktet profesionale. Ka qenë pikërisht ky investim në kohë që ka bërë të mundur hapjen e dyerve të reja, por kësaj here me një bagazh tjetër, më të rëndësishëm, falë përvojës shumëvjeçare në televizionet shqiptare. Dita e parë e xhirimit ishte një potpuri emocionesh, frikërat e para prej “artisti” u zëvendësuan shumë shpejt nga kënaqësia që të jep puna në grup, ku secili ka role shumë mirë të definuara dhe ai zinxhir pune funksionon aq mirë, sa që të bën të ndjehesh një profesionist i vërtetë dhe shumë i vlerësuar.

Ishit shumë i ri kur emri juaj erdhi në Shqipëri i lidhur me muzikën, si i kujtoni fillimet tuaja? 

Dua të tregohem shumë i sinqertë. Jetoja në Milano dhe një ditë të bukur e gjeta veten në specialen e edicionit qendror të lajmeve në TCH. Unë përcillja programet shqiptare pasi dëshiroja të isha në kontakt me gjuhën shqipe në përditshmëri dhe nuk ju fsheh faktin se më tingëlloi shumë e habitshme se si ishin informuar mbi sukseset në këngë, të cilat deri në atë moment ishin të tilla vetëm për mua dhe familjen time. E gjithë kjo mu duk mbivlerësuese. Më pas erdhi ftesa për të performuar në Top Fest e kështu nga një intervistë në tjetrën kuptova që vendi im po më jepte një mundësi të cilën unë mund vetëm ta ëndërroja. Po ashtu ndjehesha i mbivlerësuar nga gazetarët apo njerëzit që më rrethonin e çdo gjë dukej e lehtë. Duhet thënë se në Shqipëri i mbivlerësojmë të huajt apo ata bashkëkombas që kanë jetuar e janë shkolluar jashtë. Këtë ndjesi e konfirmoi më pas oferta e produksionit të Dancing with the Stars ku do të performoja si një “Yll VIP”. Isha në mëdyshje pasi unë s’kisha dhënë asnjë kontribut në skenën shqiptare. E kush isha unë para Bujar Kapexhiut apo Foto Strakoshës, por pranova pasi e pashë si një mundësi ekskluzive e dëshiroja të ngjisja shkallët në një ambient profesionistësh. Mbështetja e fortë e publikut të gjerë më bëri të mendoj se Shqipëria do të ishte vendi ku do të investoja të ardhmen time në televizion. Më pas jam treguar shumë i kujdesshëm me zgjedhjet që kam bërë pasi për mua të bërit televizion është diçka që buron nga natyra ime, nga përvoja e jetës dhe dëshira për të sjellë diçka ndryshe, mundësisht duke shërbyer si frymëzim për të tjerët. Nga këtu lindi My Living, Shopping Night, Bel Mondo.

Nga muzika në pasarelat e Gucci, Cavalli, Prada, si ishte kjo eksperiencë për ju dhe pse nuk e vijuat?

I përkasin dekadave te ndryshme. Me këngen jam rritur, por të bërit model ishte thjesht një trampolinë që më dha mundësi të shijoja ambientin profesional italian e të mësoja ritme e teknika pune të cilat më shërbejnë edhe sot shumë. Sigurisht që çdo përvojë formon, të rrit por nuk mund të ishte modelingu një karrierë afatgjatë pasi në interesat e mia në punë e shkollim objektivat kanë qenë të tjera dhe shumë të qarta.

A lindi pikërisht në këtë fazë edhe pasioni juaj për dizajnimin, a ka diçka konkrete që e kujtoni, që ju dha shkëndijën tuaj të parë?

Dizajni ka ardhur krejt rastësisht. Sapo kisha përfunduar klasën e tetë në Milano e duhej të zgjidhja ciklin e rradhës të studimeve. Mbaj mend se konservatori për Kanto ishte shumë i shtrenjtë dhe familja nuk mund të ma mundësonte. Në fakt s’ja kam kërkuar kurrë një gjë të tillë. Zgjedhja alternative ishte instituti i dezajnit dhe meqënëse më jepej për vizatim thashë ta provoja. Shtyrë këtu edhe nga fakti se një gjimnaz klasik me shumë lëndë të shkencave ekzakte nuk mund ta përballoja! (qesh) Shumë shpejt u dashurova me designin pasi përmblidhte shumë pasione, kreativitet dhe psikologji po ashtu për një stil jetese të bukur, të shëndetshëm.

Rikthimi në Shqipëri nuk kaloi pa vëmendje, e gjetët lëhtësisht veten në programet televizive, duke u identifikuar për një stil unik prezantimi, çfarë mendoni se ju diferenconte nga drejtuesit e tjerë?

Padyshim pasioni për atë çka bëj. Televizioni është pjesë e jetës time që në vogëli. Ndaj përjetimi në vetë të parë është shumë i rëndësishëm dhe sigurisht formimi në Itali dhe Francë. Zhanri televiziv që kam zgjedhur, apo më ka zgjedhur, të jep mundësinë të jesh të gjitha këto bashkë. Duke qenë formate të reja në Shqipëri ka qenë më e lehtë marrja e vëmendjes. Publiku ka një etje për të bukurën, larg kronikave apo politikës dhe mbi të gjitha është shumë më inteligjent se dje. Di të ndajë të vërtetën nga klishetë. Ajo që më diferencon nga prezantuesit e tjerë? Veshja! (qesh)

Disa sezone në Vizion Plus, pastaj në Klan me programe dedikuar stilit të jetesës, çfarë mësuat nga kjo eksperiencë? 

Kam dashur gjithnjë të kem një marrëdhënie të vërtetë me publikun dhe besoj kjo është përçuar në kohë me zgjedhjet që kam bërë dhe formën si i kam trajtuar. Tring dhe Vizion më hapi dyert e më dha mundësinë e madhe pa të cilën s’do isha sot këtu, ndërsa Klani më dha përgjegjësitë e mëdha duke i forcuar edhe më shumë pozitat si producent. Të dyja këto përvoja më kanë pasuruar jo vetëm në marrëdhënie me publikun, por edhe me burimet njerëzore dhe sot kam fatin që pjesën më të madhe të bashkëpunëtorëve si: gazetarë, regjizorë, montazhierë, etj,. T’i kem miq, të vërtetë!

Të kalojmë tek aktualiteti: riktheheni në Itali, aty ku nisi rrugëtimi juaj, si erdhi ky propozim, apo e kishit kërkuar prej kohësh?

Pavarësisht shkëputjes me banim në Itali, kam ruajtur marrëdhëniet dhe komunikimet kanë qenë të shpeshta me kolegët italianë. Shqipëria ka marrë shumë vëmendjen e tyre dhe prodhimet e mia po ashtu ja kam servirur qëllimisht thuajse të gjitha intervistat në gjuhën italiane, për pak “krenari” shqiptare, por edhe për këshilla e vlerësime. Mund të ndaj me ju një aspekt shumë interesant në lidhje me këtë. Ka qenë intervista në Durrës me këngëtarin e mirënjohur Al Bano Carrisi gjatë programit My Living e cila ka bindur autorët italianë, se unë isha prezantuesi i duhur për këtë projekt.

Nga një pjesëmarrës në programet televizive italiane dikur, sot jeni protagonist, por me një bagazh nga ekranet televizive shqiptare, çfarë ndryshimi ka?

Ndjesia që të jep sheshxhirimi në produksione italiane është krejt tjetër nga ajo që jemi mësuar këtu në Shqipëri. Ndjeja “keqardhje” për strapacimin që duhet të bëjmë në prodhimet tona, por nga ana tjetër kupton se ne jemi shumë të aftë, pasi në kushte shumë më modeste e vështirësi ekonomike, arrijmë të nxjerrim prodhime shumë të mira. Por nga ana tjetër, nuk ju fsheh faktin se më në fund u ndjeva një profesionist i vërtetë, me një staf të dedikuar i cili në sinkron total përpiqej që performanca ime të ishte aty ku duhej. Kemi shumë punë për të bërë në Shqipëri në lidhje me respektimin e figurave profesionale dhe vlerësimin e tyre. Sigurisht që kjo është e lidhur me buxhetet, ama duhet të iki koha e “one man show”!

A mund të na zbuloni se për cfarë programi bëhet fjalë?

Është një talent show ku vihen në pah aftesitë e profesionistëve në sektorin e arkitekturës, dizajnit dhe urbanistikës. Ka të bëjë me rivlerësimin e trashëgimisë kulturore të disa zonave të “braktisura” nga rinia e ku koha ka bërë të vetën. Dinamikat e lojës në formën e një gare mes profesionistësh aspirojnë të risjellin shkëlqimin dhe promovimin e turizmit të këtyre zonave.

Cili është roli juaj dhe a ka ndonjë emër me të cilin po bashkëpunoni? 

Unë do të jem jo vetëm prezantuesi i ngjarjeve por edhe udhërrëfyesi i lojës. Arkitektët janë disa profesionistë me zë në këtë sektor në Itali, por jo të njohur nga masa.

Projekti nisi në Prill gjatë pandemisë, për t’u rikthyer tani, sa kohë ju është dashur për ta realizuar atë?

Kjo periudhë solli dëme të cilat tashmë i njohim të gjithë, në çdo sektor, por ai i medias sigurisht që u gjunjëzua dhe rifillimi mbetej ende një enigmë e madhe. Uroj mos të kemi mbyllje të tjera në këtë periudhë, për të gjithë, jo vetëm për këtë projekt timin.

Televizionet italiane janë një shkollë e vërtetë, por shkolla shqiptare sa ju ka vlejtur?

Shkolla shqiptare është një doktoraturë më vete, në çdo aspekt. Jam formuar shumë si njeri, falë sfidave e të papriturave të një realiteti të brishtë siç është ai i televizionit shqiptar dhe mesa po konstatoj kjo më po më ndihmon shumë në formimin dhe krijimin e një figure profesionale edhe në vendin fqinj.

A keni firmosur një kontratë afatgjatë dhe a synoni ende karrierën aty?

Kontrata është e vlefshme për vetëm 1 sezon televiziv, por të jem i sinqertë nuk kam asnjë pritshmëri për të nesërmen, dua ta jetoj këtë ekperiencë dita – ditës, krahas edhe angazhimeve të shumta në Shqipëri, dhe këtë përvojë ta shijoj në çdo detaj duke e parë si një frymëmarrje, asgjë më shumë.

Po përsa u takon projekteve në Shqipëri, do t’i pezulloni apo do të vijoni paralelisht?

Më vjen mirë që bashkëpunëtorët në Shqipëri këtë impenjim timin ekstra e kanë marrë si një mundësi apo rikonfirmim të gjërave që bëj prej vitesh tashmë, ndaj do mund t’i përgjigjem po me të njëjtin përkushtim e seriozitet. Janë të gjitha mundësitë, falë edhe distancës gjeografike, për të qenë prezent në të gjithë impenjimet.

Ju jeni identifikuar gjithnjë për stilin unik në ekran por edhe jashtë tij, madje firma prestigjoze ndërkombëtare si Aquamarine apo parfumi Mr. Burberry ju kanë zgjedhur prej vitesh si brand Ambassador, a e ndjeni peshën e të qenit një model xhentilmeni?

Është privilegj të veshurit një brand si ai i Aquamarine për vetë historikun që kjo firmë mbart. Veshja është një lëkurë e dytë për atë që e mbart, madje edhe tregues i karakterit apo vizionit të një personi. U bënë shumë vite që unë vishem me koleksionet e Aquamarine dhe më vjen mirë që të njëjtën përzgjedhje e kanë bërë edhe meshkuj të tjerë duke i orientuar disi në përzgjedhjet e tyre falë daljeve të mia publike.

Në Bel Mondo i keni dhënë një fokus shumë të rëndësishëm stilit dhe trendeve në veshje sa i përket meshkujve, ishte Aquamarine që ju zgjodhi apo anasjelltas?

Ka ardhur aq natyrshëm, saqë nuk e kujtoj me saktësi si ndodhi. Mbaj mend që në një blerje xhakete në Napoli, në etiketën e saj shkruhej Aquamarine, u afeksionova aq shumë pas atij modeli pasi dukej si e qepur enkas për mua. Ndodh që në një vizitë në TEG një vit më pas, lexoj në një vitrinë të njëjtin emër e kështu u bëra klient i rregullt. Nga ai moment erdhi edhe oferta e italianëve për të qenë imazhi zyrtar i Aquamarine.

Dukeni shume detajist, nuk mungon në lookun tuaj shamia e xhepit e as kombinimi i aksesorëve, sa të rëndësishëm janë për ju?

Tani më kuptoni pse kam zgjedhur Aquamarine?! (qesh) Më jep mundësinë jo vetëm të jem i pajisur me të gjitha detajet e një looku ideal, por edhe shumëllojshmëri zgjedhje. Përtej veshjes, këpucët janë shumë të rëndësishme për mirëqenien e trupit, por edhe për lehtësimin e kombinimit në mënyrë që të kemi një harmoni në ngjyra, material dhe komoditet.

Miqtë tuaj më kanë thënë që keni shumë pasion orat, cila është më e shtrenjta, po ajo më e veçanta?

Është mëse e vërtetë. Pas kravatave dhe këpucëve, janë orat të preferuarat e mia. Kam një numër shumë të madh, të modeleve dhe dizajneve të ndryshme. Nuk mund ta them koston e më të shtrenjtës për etikë, por ajo që vlen më shumë për mua është një orë që ka pas zotëruar ish – Presidenti i Republikës së Francës, Charles De Gaulle, të cilën ma ka dhuruar nuni im Italian, në profesion inxhinier. Ariosto ka qenë një ushtar italian i cili gjatë okupimit nazist në Shqipëri gjeti strehim në familjen e gjyshit, Shqerra në Elbasan. Shumë vite më pas, në ’85-ën vjen në Shqipëri dhe në shenjë mirënjohje na viziton. Unë ato ditë mbushja 1 vjeç dhe siç e do tradita në Elbasan kryhet edhe riti pagan, prerja e një pjese flokësh në shenjë oguri e prosperiteti për jetën. Kështu Ariosto vetëofrohet për t’u bërë nuni im. Me ikjen time në Itali në vitet 90, për shkak të moshës së thyer të nunit, vizitat e mia tek ai ishin të shpeshta dhe pasionin për orat ma ka futur ai, pasi kishte një koleksion shumë të madh të tyre, të epokave të ndryshme dhe kështu më bëri pjesë të filozofisë që mbart artizanati i kësaj pasurie.

Cilat janë pasionet tuaja përtej botës së ekranit, di që jeni i lidhur me interior dizajnin?

Me kalimin e viteve kam kuptuar se pasionet i kam shndërruar në profesion dhe për këtë ndjehem shumë me fat. Interior Designi është një fushë që më jep mundësi të ndjehem i kompletuar, ndërkohë që televizioni apo jeta publike profesionale më argëton.

A e mbani mend sa ka qenë paga juaj e parë dhe për çfarë e keni shpenzuar? 

Paga ime e parë në mos gaboj ka qenë 6000 lekë të reja, kur isha 12 vjeç e fillova të punoj si prezantues në ETV, media lokale elbasanase. Mbaj mend që ime më, në profesion mësuese kishte një pagë asokohe të përafërt me timen, ndaj të qenit i dobishëm në shtëpi më lumturonte pamasë.

A ka një person që e admironi dhe pse? 

Kam vetëm një person model në jetë. Mund të duket si klishe pasi bëhet fjalë për nënën dhe për këdo nëna është e rëndësishme, më e dashura, unikja etj.  Për mua nëna mbetet i vetmi model për t’u admiruar pasi më ka ushqyer me liri, brumosur me shumë dashuri e respekt për çdo qenie.

Çfarë shihni më shpesh në televizion, filma apo seriale dhe a keni ndonjë të preferuar?

Nuk shoh fare televizion, dhe kjo jo për shkak të angazhimit tim në të, por gjithmonë kam qenë shumë i papërqendruar apo skeptik mbi atë çka shihja. Dëshiroja gjithmonë ta shndërroja në diçka tjetër, e njëjta gjë më ndodh edhe në seriale apo filma; përqendrohem tek fotografia e tyre, tek mjeshtëria aktoreske apo kostumografia. Sot për shkak të punës jam më i fokusuar tek televizioni francez pasi për mua ata janë më elegantët në të bërit televizion dhe respektues shumë të mirë të publikut.

A ka një këngë që ju bën gjithmonë për të qarë? 

Është “Caruso” e Lucio Dalla-s, e cila më lidh me një moment me tim atë para se ai të largohej nga kjo botë.

Cili është vendi ku shkoni më shpesh dhe a ka ndonjë lidhje të veçantë? 

Shkoj shpesh në Durrës, aty ku banonte ime gjyshe, nga nëna. Është e habitshme ndjesia që më jep amfiteatri, pranë shtëpise së saj. Më mbush me energji pozitive, duket sikur rigjej Xhanin e vogël, plot ëndrra dhe shpresa!

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF