KreuBordo Men

Në universin e Ergys Zhabjakut!

Një ekspozitë fotografike në ‘Gallery ’70’ e cila sjell një dimension të panjohur të artistit, një këndvështrim paksa unik, por edhe personal i cili prezanton fillimin dhe fundin brenda një akuariumi që quhet jetë…

Bardhë e zia ka qenë gjithnjë ana e tij e fortë, por këtë herë fotografi sjell një koncept krejt origjinal, jetën në dy skajet e saj, lindja dhe vdekja, gjithçka në një univers të krijuar nga Ergys Zhabjaku, brenda një akuariumi, ku qartazi mund të shohësh një botë paralele. Ekspozita vjen në ‘Gallery ‘70’ dhe rrëfen një tjetër dimension të konceptit paksa spiritual të artistit, i cili ka arritur të realizojë me vetëm një shkrepje një univers ku mund të shohim të ngrira jetët tona, fillimin e shumëpritur dhe fundin e padëshiruar, me dritëhijet që rrethojnë njerëzimin. Arritja tjetër e madhe është se çdo foto e ekspozuar është realizuar me një shkrepje, krejt natyralisht, pa ndërhyrjen e teknologjisë, por thjesht duke njohur deri në detaje efektin magjik të dritës…!


Çfarë ju frymëzoi për ekspozitën tuaj fotografike?
Ekspozita është pasojë e të parës. Kam disa kohë që merrem me të dhe duke parë projektet e mëparshme ka goxha ndryshim. Para dy vitesh nuk po më pëlqente më ajo çka bëja, mendova të bëja diçka tjetër. U futa te kjo bota disi imagjinare, duke u inspiruar nga rrethanat. Ekspozita flet për fillimin dhe fundin, sepse nëse shkon drejt fillimit do të gjesh fundin. Ndaj kur e nisa ishte pak e çuditshme, sepse për mua është si një ‘Big Bang’ mjaft personal. E quajta ekspozitën ‘Tank Fish’, sepse fotot i kam realizuar brenda një akuariumi, ku çdo foto ka një filozofi më vete. Fotoja kryesore ka një madhësi të konsiderueshme dhe sapo e sheh aty perceptohet universi, ku bulëzat e ujit ngjajnë me planetet…

Duke parë fotot futesh në një botë misterioze, sikur do të zbulosh diçka në të….
Jam bërë më ekzistencialist. Më pëlqen të përcjell raportin e qenies me universin, me kohën, me vdekjen. Zakonisht njerëzit kanë frikë të flasin për këto dhe tërhiqen. As unë në fillim nuk doja t’i hyja, por fillova t’i gërric. Po vazhdoj t’i gërric, jo sepse nuk e kam frikë vdekjen, por sepse kaosi, paniku i fillimit dhe i fundit më duket absurd. Fillimi dhe fundi janë dy momente të jetës ku njeriu është i pafuqishëm për të vendosur.


Ka shumë artistë që merren me këtë temë, ju çfarë sillni ndryshe?
Besoj se ideja që nuk kam zgjedhur subjekte që jemi mësuar ne deri tani, është diçka ndryshe. E veçantë është prania e ujit, sepse uji është fillimi i gjithçkaje: i jetës, fundit të saj, i gjithë revolucioni ka lindur dhe do të përfundojë në ujë. Uji është element primar në krijimin e jetës. Dehidratimi është paralelizmi më i mirë për mungesën e jetës dhe këtë e nisa nga ekspozita e fundit, për të vijuar sërish.

Ndjesia e ujit është universale, por edhe paksa personale?
Po, sepse kur shohim për herë të parë detin krijojmë një marrëdhënie shumë personale me të. Që në fillim kur e shohim të vegjël na impresionon. Është një gjë e madhe që lëviz dhe ka jetë. Ne perceptojmë që uji ka jetë, ndryshe për malet. Në to nuk ka jetë. Ka shumë mitologji që lidhen me peshkun. Një gojëdhënë thotë që një peshk i madh mban gjithë universin. Kjo ndoshta është arsyeja që shumë prej nesh kemi pasur gjithmonë akuariume me peshq, për të pasur një pjesë të këtij koncepti pranë nesh. Gjithë këto elemente nuk kanë rëndësi çfarë kohe e ke nisur projektin, pasi janë sinjale që të çojnë tek projekti përfundimtar, i cili mund të bëhet edhe më spiritual se kaq.


Nga ana teknike ka a qenë e vështirë?
Nuk ishte e vështirë. Testin e parë e bëra me dritë natyrale, e pastaj një tjetër me flash dhe çdo gjë doli siç e doja. Pastaj vendosa dy flashe sepse më duhej më shumë dritë për bulëzat e ujit dhe fotoja ishte e përsosur. Fotot janë origjinale, nuk kanë efekte, as crop, as manipulime. Janë foto të pastra natyrale. Një artist nëse niset të bëjë një udhëtim me mendjen e vet duhet të përvetësojë instrumentin që ka në dorë, në rastin tim është aparati. Jo me mendjen për ta rregulluar më vonë në post produksion. Duhet të mundohesh ta kapësh foton ashtu si duhet që në fillim.

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF