Altin Rrica ishte idhulli i fëmijërisë së tij. Andi Lila e kishte ndjekur që kur ishte i vogël lojtarin e njohur e të shumëvlerësuar të “Besës” së Kavajës, një djalë tepër të talentuar, te cilin sic tregojnë ata që e njohin, “e donin të gjithë”!
Loja e vecantë e Rricës e kishte frymëzuar dhe i kishte mbetur në mendje. Tek “ Dua të të bëj të lumtur”, Andi madje rrëfeu se e kishte pare kur ishte i vogël dhe qëndronte pas fushës ku Altini luante, e mblidhte topat. Mesfushori kavajas ishte në kulmin e tij, por ëndrrat iu prenë në mes në mënyrën më mizore korrikun e vitit 2000, kur bashkë me disa shokë shkuan të lahen në liqen. Altini u përplas me një shkëmb gjatë hedhjes; një aksident fatkeq që e la të paralizuar.
Gjatë tërmetit të 26 nëntorit ndërkohë, shtëpia në të cilën ai jetonte bashkë me familjen në Durrës u shkatërruar tërësisht duke i detyruar të dilnin me qira. Fill pas kësaj, Andi Lila dhe shumë futbollistë të tjerë, shqiptarë dhe të huaj morën nismën për të krijuar një sindikatë për të ndihmuar të prekurit nga tërmeti nëpërmjet ndeshjeve të bamirësisë.
Në studio, ai zbuloi surprizën për Altinin dhe familjarët e tij: një shtëpi të re! “Ky është një ndër momentet më emocionues në jetën time sepse nga natyra jam që flas shumë, por tani fjalët më ikën. Të kam ftuar ty për të të bërë të lumtur, por në të vërtetë jam unë më i lumtur. Ne nuk jemi takuar kurrë, por për ty në bashkëpunim me sindikatën kemi menduar një surprizë.” – u shpreh Lila.