Me Geena Davis që mbush 70 vjeç dhe Susan Sarandon që shuan 80 qirinj, Thelma & Louise rikthehet si një ikonë stili: xhinsi, shamitë e kokës dhe një ide e lirisë femërore që vazhdon të ndikojë modën dhe imagjinatën bashkëkohore!
Në vitin 2026 ndërthuren tre përvjetorë që flasin të njëjtën gjuhë: Filmi i njohur Thelma & Louise mbush 35 vjet, Geena Davis feston 70-vjetorin më 21 janar, ndërsa Susan Sarandon mbush 80 vjeç më 4 tetor. Është një përputhje e përkryer për ta rilexuar filmin jo vetëm si një manifest narrativ, por si një gur themeli i stilit, shkruajnë mediat italiane: Një moment kur moda, trupi dhe liria femërore filluan të flasin të njëjtën gjuhë, larg glamurit dhe artificit.
Kur road movie bëhet një çështje stili
Thelma & Louise e ndryshoi kinemanë edhe sepse revolucionarizoi mënyrën se si gratë e zënë hapësirën në ekran. Gardëroba e protagonisteve është funksionale ndaj udhëtimit, lëvizjes, zgjedhjes. Xhins i zbehur, bluza të bardha, këmisha mashkullore, shami të lidhura, çizme komode, syze dielli të mëdha. Veshje të thjeshta, pothuajse anonime, që pikërisht për këtë arsye bëhen ikonike. Është një stil që refuzon joshjen si qëllim dhe zgjedh praninë.
Geena Davis, një grua më në fund e lirë
Rrugëtimi i Thelmës, i interpretuar nga Geena Davis, kalon edhe përmes veshjeve. Në fillim, veshja është e zakonshme, e kontrolluar, pothuajse e shuar. Me vazhdimin e udhëtimit, trupi i aktores çlirohet, lëviz, zë hapësirë. Xhinset bëhen një lëkurë e dytë, bluza një uniformë lirie. Në moshën shtatëdhjetëvjeçare, Davis mbetet simboli i kësaj transformimi: jo një ikonë glamuri, por një figurë që e bëri të besueshme një ide të feminitetit aktiv, të papërkulur.
Susan Sarandon, elegante dhe e vetëdijshme
Louise është gjysma tjetër e sistemit. Susan Sarandon solli në ekran një stil më të përcaktuar: këmisha të strukturuara, shami, syze të errëta që bëhen pothuajse një parzmore. Pamja e saj komunikon kontroll, një elegancë të pjekur që nuk kërkon miratim. Në prag të të 80-ave, aktorja mishëron ende sot këtë qëndrim: një stil që nuk e ndjek kohën, por e përshkon atë.
Veshje ikonike, jo thjesht look
Trashëgimia e vërtetë fashion e Thelma & Louise është se tregoi që ikonizmi nuk lind nga tepria, por nga kuptimi. Xhinsi si liri, shamia si mbrojtje, syzet e diellit si akt autonomie: veshje të thjeshta që u bënë simbole sepse lidhen me një zgjedhje, jo me një trend. Dhe pastaj ajo pamja e fundit, e pezulluar në zbrazëti: dy trupa të ndalur në ajër, era në flokë, dielli mbi lëkurë. Asnjë kthim në rend, asnjë kompromis. Tridhjetë e pesë vjet pas daljes, Thelma & Louise mbetet një busull. Nuk tregon çfarë të veshësh, por në cilin drejtim të shkosh. Për këtë arsye, në modë si në kulturën vizive, nuk është një estetikë për t’u kopjuar, por një qëndrim për t’u përjetuar.


