
Jenny McCarthy ka reaguar publikisht ndaj spekulimeve që kanë qarkulluar së fundmi për Jim Carrey, duke hedhur poshtë teoritë konspirative që lidhen me pamjen e aktorit.
Pas paraqitjes së tij në “César Awards”, e cila shkaktoi komente të shumta në rrjet për ndryshimin në dukje, disa përdorues ngritën pretendime ekstreme, duke aluduar madje për “zëvendësim” apo “klonim”. Një muaj pas këtij momenti, ish-partnerja e tij vendosi të reagojë.
E pyetur në tapetin e kuq të iHeartRadio Music Awards 2026, McCarthy u shpreh qartë: “Ishte padyshim Jim Carrey.”
Ajo shtoi se diskutimi publik po fokusohet gabimisht te pamja fizike, ndërsa sipas saj, ajo që bie më shumë në sy është gjendja e tij emocionale. “Ai dukej shumë i lumtur në atë event. Kjo ishte gjëja e parë që vura re,” u shpreh ajo.
Në të njëjtën linjë reagoi edhe bashkëshorti i saj, Donnie Wahlberg, i cili kritikoi mënyrën si publiku i kushton rëndësi të tepruar pamjes së jashtme: “Jemi aq të fiksuar pas dukjes, sa nuk shohim sa i lumtur dukej.”
McCarthy dhe Carrey kanë qenë në një lidhje nga viti 2005 deri në vitin 2010, ndërsa marrëdhënia e tyre ka mbetur miqësore edhe pas ndarjes.
Zërat nisën në fillim të marsit, kur aktori u shfaq ndryshe nga zakonisht në ceremoninë franceze “César Awards”, duke nxitur reagime të shumta në rrjetet sociale. Megjithatë, përfaqësuesit e Carrey i hodhën poshtë menjëherë këto pretendime, duke konfirmuar se ishte vetë aktori që mori pjesë në event, ku u nderua edhe me një çmim special.
Organizatorët e ceremonisë e cilësuan praninë e tij si një moment të veçantë, duke theksuar se Carrey kishte përgatitur për muaj të tërë edhe fjalimin e tij.
