
Reperi i njohur shqiptar, Ledri Vula, ka folur për herë të parë publikisht rreth lidhjes së re të ish-partneres së tij, Sara Hoxha, me Erik Fullanin, gjatë një interviste në podkastin e Alketa Vejsiut.
Në një bisedë të hapur dhe të sinqertë, Ledri tregoi maturi dhe qartësi në qëndrimin e tij, duke shmangur çdo formë tensioni apo komenti negativ. Ai u fokusua te mirëqenia e vajzës së tyre, Poem Blu, dhe rëndësia që për të ka lumturia e nënës së saj.
“Sara më duket shumë e lumtur me djalin. Për mua është më e rëndësishme që Sara të jetë e lumtur. Nëse ajo është e lumtur, edhe goca është e lumtur. Për mua, goca është me shumë rëndësi”, – u shpreh Ledri me qetësi dhe vendosmëri.
Deklarata e tij është përhapur me shpejtësi në rrjetet sociale, ku ndjekësit e kanë përgëzuar për qasjen e pjekur dhe respektin që ruan ndaj ish-partneres. Në një kohë kur ndarjet publike shpesh shoqërohen me drama dhe polemika, Ledri zgjodhi të japë një shembull pozitiv të bashkëprindërimit dhe maturisë emocionale.
Lidhja e re e Sarës me Erik Fullanin ka qenë në qendër të vëmendjes së mediave rozë muajt e fundit, por kjo është hera e parë që Ledri flet hapur dhe drejtpërdrejt për këtë temë, duke dhënë një mesazh të qartë: vajza dhe lumturia e saj janë prioriteti absolut.
