
Një mbrëmje që pritej të ishte festive për fansat e Jon Bon Jovit në New York u mbyll më herët se sa ishte planifikuar. Ikona e muzikës rock u detyrua të largohej nga skena për shkak të një problemi shëndetësor, duke lënë të papërfunduar koncertin në Madison Square Garden.
64-vjeçari ishte duke performuar në kuadër të turneut të tij “Forever Tour”, kur, pas interpretimit të këngës së famshme “Livin’ on a Prayer”, ndaloi koncertin dhe iu drejtua publikut me një kërkim faljeje.
“Po ndihem shumë keq dhe nuk mund të vazhdoj. Ju lutem mos i hidhni biletat, sepse do të përpiqemi të gjejmë një datë të re për këtë koncert,” u tha ai fansave para se të largohej nga skena.
Sipas ekipit të artistit, performanca zgjati rreth një orë e gjysmë. Më pas u bë e ditur se Bon Jovi po përballej me një sinusit, gjendje që e bëri të pamundur vazhdimin e koncertit.
Ky turne ka një rëndësi të veçantë për këngëtarin, pasi është rikthimi i tij në skenë pas operacionit në kordat vokale që kreu në vitin 2022. Gjatë viteve të fundit, ai ka folur hapur për betejën me zërin dhe dëshirën për të mos performuar nëse nuk arrin nivelin artistik që fansat presin prej tij.
Edhe pse së fundmi kishte deklaruar se ishte rikuperuar plotësisht dhe ishte gati për t’u rikthyer në skenë, episodi në New York tregon se sfidat shëndetësore nuk kanë përfunduar ende.
Për momentin, organizatorët nuk kanë bërë të ditur se kur do të mbahet koncerti i shtyrë, ndërsa fansat presin njoftimin zyrtar për datën e re.
