KreuCelebrity

Rita Ora zbulon zakonin shqiptar që e shoqëron ende: “E kam marrë nga gjyshja”

Rita Ora zbulon zakonin shqiptar që e shoqëron ende: “E kam
Edhe pse sot jeton mes seteve të filmave në Hollywood, turneve muzikore dhe projekteve të reja artistike, Rita Ora thotë se nuk është shkëputur kurrë nga traditat me të cilat është rritur.

Këngëtarja me origjinë shqiptare ka folur së fundmi për ndikimin që familja dhe kultura shqiptare kanë pasur në jetën e saj, duke rrëfyer se disa zakone të trashëguara nga gjyshja vazhdojnë të jenë pjesë e përditshmërisë së saj.

Rita kujton se familja u largua nga Prishtina drejt Londrës kur ajo ishte ende foshnjë, gjatë viteve të vështira për shqiptarët në Kosovë. Sipas saj, përvoja e emigrimit ka ndikuar në mënyrën si e sheh jetën dhe punën.

“Jam krenare për prejardhjen time dhe për faktin që jam rritur si emigrante. Kjo të jep një shtysë të vazhdueshme për të ecur përpara dhe për të mos u dorëzuar,” është shprehur artistja.

Ajo foli edhe për lidhjen e veçantë që ndjen me sukseset e artistëve të tjerë shqiptarë, duke përmendur edhe Dua Lipën. Rita zbuloi se familjet e tyre njiheshin prej dekadash në Kosovë dhe shpreson që një ditë të bashkëpunojnë në muzikë.

Një nga detajet më interesante të intervistës ishte rrëfimi për besëytnitë shqiptare. Rita tregoi se është rritur në një familje ku ritualet tradicionale ishin të zakonshme.

“Gjyshja ime bënte gjithmonë rituale gjatë hënës së plotë dhe lexonte filxhanin e kafesë. Për të, ai tregonte rrugën e së ardhmes,” tha ajo.

Sot, këngëtarja ruan një ritual të ngjashëm në mënyrën e saj. Ajo mban gjithmonë me vete një varëse me kristale, dhuratë nga një mike e ngushtë, të cilën e konsideron si simbol qetësie dhe energjie pozitive. Sipas Ritës, kristalet e ndihmojnë të fokusohet, të largojë energjitë negative dhe të mbetet e përqendruar te synimet e saj.

Artistja foli edhe për jetën personale dhe planet për të ardhmen. Rita zbuloi se vite më parë vendosi të ngrinte vezët, një zgjedhje që e mori për të pasur më shumë liri në planifikimin e familjes. Sot, e martuar me regjisorin Taika Waititi, ajo shprehet se dëshiron të bëhet nënë kur ta ndiejë se ka ardhur momenti i duhur.

Në fund, Rita ndau edhe një mesazh për gratë e reja, duke theksuar se lumturia nuk varet nga një marrëdhënie.

“Askush nuk mund të të shpëtojë përveç vetes. Forca e vërtetë vjen kur mëson të mbështetesh te vetja,” u shpreh ajo.