
Cristiano Ronaldo vazhdon të jetë në formë mbresëlënëse edhe në moshën 41-vjeçare, duke udhëhequr Al Nassr drejt objektivave të mëdha këtë sezon. Forma e tij fizike lidhet ngushtë me disiplinën e hekurt në stërvitje dhe një regjim ushqimor të kontrolluar në detaje.
Një nga aspektet më interesante të dietës së tij është fakti që ka hequr plotësisht qumështin. Ish-kuzhinieri personal i tij gjatë periudhës te Juventusi, Giorgio Barone, ka shpjeguar arsyen pas këtij vendimi. Sipas tij, Ronaldo nuk e konsideron konsumimin e qumështit si diçka natyrale për njeriun.
Barone thekson se, në natyrë, asnjë specie nuk vazhdon të konsumojë qumësht pas fazës së hershme të zhvillimit dhe, aq më tepër, nuk konsumon qumështin e një specieje tjetër. Pikërisht kjo filozofi ka ndikuar në zgjedhjen e futbollistit për ta përjashtuar nga dieta e tij të përditshme.
Regjimi ushqimor i Ronaldos bazohet kryesisht në proteina cilësore dhe produkte të freskëta. Ai preferon vakte të thjeshta, por të balancuara: mëngjesi përfshin vezë, avokado dhe kafe pa sheqer; dreka dominohet nga peshku ose pula të shoqëruara me perime, ndërsa karbohidratet i merr kryesisht nga burime natyrale dhe jo nga produkte të përpunuara si buka apo makaronat. Darka është zakonisht e lehtë, sërish e fokusuar te proteinat dhe perimet.
Kuzhinieri foli edhe për dietat e futbollistëve të tjerë, duke përmendur Erling Haaland, i cili përfshin në ushqimin e tij edhe produkte si organet e brendshme dhe qumështin e papërpunuar. Barone vlerëson përdorimin e organeve si mëlçia apo zemra për vlerat e tyre ushqyese, por mbetet kritik ndaj konsumit të qumështit.
Falë këtij kujdesi të vazhdueshëm ndaj ushqimit, Ronaldo arrin të ruajë një përqindje shumë të ulët të yndyrës trupore dhe të performojë në nivele të larta, edhe pas katër dekadash jetë.
