
Një nga rezidencat më të njohura të kinemasë, e përdorur në filmin kult të vitit 1983 “Scarface”, është nxjerrë në shitje në Miami me një çmim marramendës prej 237 milionë dollarësh. Nëse realizohet afër kësaj vlere, ajo mund të vendosë një rekord të ri për zonën.
E vendosur në Key Biscayne, prona shtrihet në rreth 2.38 akra tokë dhe ofron rreth 850 metra vijë bregdetare. Vila me arkitekturë postmoderne ka një sipërfaqe prej rreth 1,200 metrash katrorë dhe përfshin elemente luksoze si skelë private për varka, pistë helikopteri mbi ujë dhe një pishinë të veçantë në formë pianoje. Ambientet e brendshme karakterizohen nga dritare të mëdha panoramike me pamje nga horizonti i Miamit, pesë dhoma gjumi dhe një ashensor modern prej xhami dhe çeliku.
Ky ashensor është bërë i famshëm në një nga skenat më të njohura të filmit, kur personazhi i Tony Montana-s, i interpretuar nga Al Pacino, viziton për herë të parë rezidencën e Frank Lopez, ndërsa Elvira zbret në mënyrë elegante në kabinën transparente.
Përveç historisë së saj në kinematografi, vila mbart edhe një të kaluar politike. Në vitet ’70, zona ku ndodhet ishte pjesë e një kompleksi të njohur si “Shtëpia e Bardhë e Dimrit”, ku ish-presidenti amerikan Richard Nixon kalonte shpesh kohë, edhe pse ndërtesa e asaj kohe nuk ekziston më.
Forma aktuale e rezidencës daton nga fillimi i viteve ’80 dhe lidhet me pilotin Roberto Stridinger, i cili më vonë u përfshi në trafik droge me kartelin e Medellín. Prona është shfaqur gjithashtu edhe në hyrjen e serialit të njohur “Miami Vice”.
Sipas mediave amerikane, nëse kjo shitje finalizohet pranë çmimit të kërkuar, ajo mund të thyejë rekordin aktual të zonës, i cili mbahet nga Mark Zuckerberg, që pagoi 170 milionë dollarë për një pronë në Indian Creek Island.
