
Piazza San Marco në Venecia u kthye në një skenë spektakolare për një nga mbrëmjet më të veçanta të këtij viti, ku Andrea Bocelli festoi 30-vjetorin e albumit ikonik “Romanza”, një prej projekteve muzikore më të suksesshme të zhanrit classical crossover.
Nën dritat e sheshit historik, mijëra spektatorë ndoqën koncertin gala, i cili përshkoi tri dekada të karrierës së tenorit italian. Me mbi 90 milionë albume të shitura dhe më shumë se 16 miliardë dëgjime në platformat muzikore, Bocelli konfirmoi edhe një herë statusin e tij si një prej artistëve më të vlerësuar në skenën ndërkombëtare.
Mbrëmja nisi me interpretimet e Orchestra Filarmonia, ndërsa atmosfera u pasurua edhe nga performues të veshur me kostume të frymëzuara nga epoka rokoko, duke i dhënë koncertit një dimension teatror që harmonizohej me arkitekturën unike të Venecias.
Në pjesën e parë, Bocelli interpretoi disa prej veprave më të njohura të repertorit operistik, me kompozime të Giuseppe Verdit, Giacomo Puccinit dhe Georges Bizet. Në skenë iu bashkua sopranoja Mariam Battistelli, me të cilën solli disa duete të njohura, ndërsa baritoni Roberto de Candia interpretoi së bashku me të një nga pjesët e Verdit.
Publiku shijoi gjithashtu performancën e violinistes dhe kompozitores Rusandra Panfili, e cila interpretoi melodi të paharrueshme nga kolonat zanore të Ennio Morricone, si edhe pjesë nga muzikali legjendar West Side Story.
Pjesa e dytë e koncertit iu kushtua repertorit që e bëri Bocellin një fenomen global. Në skenë u interpretuan këngë si “Caruso”, “Romanza”, “Il mare calmo della sera”, “Melodrama” dhe shumë hite të tjera që kanë shoqëruar karrierën e tij ndër vite.
Gjatë mbrëmjes iu bashkua edhe këngëtarja Andrea Lykke, e cila interpretoi “Stand Up” dhe më pas ndau skenën me Bocellin në duetet “Vivere”, “Vivo per lei” dhe “Canto della terra”, të mirëpritura me duartrokitje të gjata nga publiku.
Koncerti arriti kulmin me interpretimin e “Con te partirò”, ndërsa mijëra të pranishëm u ngritën në këmbë për të duartrokitur artistin. Mbrëmja u mbyll me “Nessun dorma”, mes atmosferës magjike të Bazilikës së Shën Markut dhe dritave të telefonave që ndriçonin sheshin.
Edhe në moshën 67-vjeçare, Andrea Bocelli vazhdon të mbetet një prej zërave më të dashur të muzikës botërore, duke dëshmuar se interpretimi dhe emocioni që përcjell në skenë mbeten po aq të fuqishëm sa në fillimet e karrierës.
Para koncertit u prezantua edhe bashkëpunimi i ri shumëvjeçar mes Andrea Bocelli dhe Philip Morris International (PMI), në kuadër të platformës globale “Believe. Further.”, një iniciativë që synon të promovojë inovacionin, progresin dhe ndryshimin pozitiv. Detaje të tjera mbi projektet që do të zhvillohen në kuadër të këtij partneriteti pritet të bëhen publike në muajt në vijim.
